TIRANE - Kryeministri Rama deklaroi sot gjatë ceremonisë së prezantimit të Shefit të ri të Përgjithshëm të Shtabit Jeronim Bazo, se angazhimi i Shqipërisë në NATO, nga llogoret e Irakut dhe Afganistanit tek përpjekja për të çarmatosur pa luftë regjimin vrastar në Siri është detyrim i patjetërsueshëm ndaj SHBA-së, falë së cilës shqiptarët janë këtu ku janë. Por kryeministri nuk ka permendur asnjeherë perfshirjen e Shqiperise në planin për te asgjesuar armet kimike.
"Qeveria jonë i jep rëndësi të posatshme partneritetit strategjik me SHBA dhe mishërimi i këtij partneriteti në frontin e NATO-s, nga llogoret e Irakut dhe Afganistanit tek përpjekja për të çarmatosur pa luftë regjimin vrastar në Siri, është jo vetëm detyrim i patjetërsueshëm, por dhe burim krenarie për ne shqiptarët, sepse ne s'do ta harrojmë kurrë dhe për asnjë arsye se falë këtij partneriteti dhe falë SHBA si miku e aleati më i madh i shqipëtarëve, sot shqiptarët janë më mirë se kurrë ndonjëherë më parë kudo ku ata banojnë në rajonin tonë."- tha Rama në ceremoninë e prezantimit të shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm që u zhvillua në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Tiranë.