Kryetari i Komunës Qendër Andrej Zhrenovski iu ankua ambasadorit amerikan Poll Uollers për trysnitë e pushtetit qendror, siç i quajti ai, ndaj komunës që ai menaxhon. Zhernovski tha se në qendër të takimit me ambasadorin Uollers kanë qenë edhe procesi gjyqësor që vijon ndaj kryetarit të Këshillit të kësaj komune Mirosllav Shipoviq, por edhe rreth rastit të gazetarit Tomisllav Kezharovski. Numri 'një' i Komunës "Qendër" tha gjithashtu se vizitat e shpeshta të ambasadorëve dhe përfaqësuesve të BE-së në periudhën e fundit dëshmojnë se faktori ndërkombëtar po i ndjekë me vëmendje të veçantë ngjarjet në këtë komunë.
"Ai ka informata në nivel ambasade, ndërsa unë i kumtova informatat që kam. Dje pata takim me bashkëshorten e Shipoviqit, po shqyrtojmë të gjitha mundësitë që ai të mbrohet në liri, pasi në një rast të tillë do të mund të merrte pjesë në seancat e Këshillit. Faktori ndërkombëtar interesohet për këtë rast dhe mendojnë se duhet të funksionojë shteti i së drejtës, si në rastin ndaj Shipoviqit, ashtu edhe në rastin e Kezharovskit. Unë kam përshtypjen se politika po ndikon shumë në vendimet e gjykatave", tha Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.
Duke folur mbi presionet e vazhdueshme të pushtet qendror Zhernovski tha se dëshmi për këtë janë edhe dy paditë e fundit kundërvajtëse që kanë mbërritur një ditë më parë në adresë të tij.
"Unë dje mora dy padi kundërvajtës nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Dje patëm edhe një inspektim të ri ku seanca u shqyrtua në mënyrë të veçantë. Pra nga të gjitha seancat që kemi pasur deri tani, besoni apo jo, seanca që inspektohet është pikërisht ajo ku refuzuam tre planet urbanistike. Nga të gjitha seancat që kemi mbajtur, VMRO DPMNE-ja gjen aty parregullsi në procedura, gjë që flet për motivet e të gjitha presioneve të saj", tha Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.
Nga ana tjetër, koordinatori i grupit të këshilltarëve të VMRO DPMNE-së në Komunën "Qendër" Tomisllav Llazorov akuzoi LSDM-në dhe Zhernovskin se po bllokojnë me qëllim punën e Këshillit duke mos emëruar kryetarin e ri të Këshillit.
"Kjo dëshmon se ata punojnë në dëm të qytetarëve të Qendrës dhe manipulojnë në veprimtarinë e tyre politike. Ne, grupi i këshilltarëve të VMRO DPMNE-së jemi të gatshëm të mbështesim çdo propozim të Këshillit që është në interes të qytetarëve dhe të zhvillimit të komunës", deklaroi Tomisllav Llazarov, VMRO DPMNE.
Megjithatë nga LSDM-ja u kundërpërgjigjen se është pikërisht VMRO-ja ajo që synon bllokimin e punës së Këshillit. Sipas saj, mungesa e kryetarit aktual të Këshillit Mirosllav Shipoviq është me arsye, për shkak të procesit gjyqësor që pushteti po zhvillon ndaj tij. Semra Jakupi