Pas reagimeve të opozitës lidhur me kontratën e qeverisë me "Crown Agents" me kusht rritjen 35% të të ardhurave nëpërmjet kontrolleve të përbashkëta anti-kontrabandë, ka ardhur edhe reagimi i Ambasadës Britanike në Tiranë.
Në njoftimin për shtyp të kësaj ambasade thuhet se kompania "Crown Agents" i ka propozuar qeverisë shqiptare një projekt për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e shërbimit doganor, dhe thekson se akuzat ndaj kësaj kompanie janë të rreme.
"Në Shqipëri për disa kohë ka patur probleme me mbledhjen e taksave dhe të ardhurave doganore. Ka një nevojë të menjëhershme dhe serioze për të rritur të ardhurat nga doganat dhe taksat, në mënyrë që qeveria e Shqipërisë mund të sigurojë shërbimet dhe projektet që janë të kërkuara nga qytetarët e vendit. Ka gjithashtu një kërkesë për ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve në fushën e doganave dhe për masa për të ulur nivelin e korrupsionit. Kompania britanike Crown Agents i ka propozuar qeverisë së Shqipërisë një projekt për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e shërbimit doganor, duke përfshirë elementet e rekrutimit, trajnimit dhe menaxhimit të karrierës. Vendimi për këtë projekt të propozuar varet tërësisht nga qeveria e Shqipërisë dhe parlamenti shqiptar, duke marrë parasysh nevojat e Shqipërisë, përmbajtjen e projektit, dhe koston. Kontrata e plotë ka qenë dorëzuar në Kuvend në mënyrë që të informohen për përmbajtjen e saj".