Gruevski duhet të sigurojë konsensus shtetëror, ndërpartiak dhe ndëretnik e pastaj mund të mbyllet në një dhomë bashkë me palën tjetër për të arritur zgjidhjen e çështjes së Emrit. Kështu vlerëson profesori Stevo Pendarovski duke komentuar deklaratën e Ahmetit dhënë në emisionin "Rruga Drejt...". Ndërkohë Sasho Klekoski vlerëson se deklarata e Ahmetit është në vijë të njëjtë me atë të Gruevskit, sepse edhe ky i fundit ka kërkuar që bisedimet në ngrihen në nivel kryeministrash.
"Duhet të mbyllet në dhomë këtu në Shkup, me faktorët më të rëndësishëm në shtet, edhe në aspektin politik dhe etnik, dhe të arrihet një konsensus shtetëror maqedonas. Edhe shqiptarë edhe maqedonas, të arrijnë një konsensus se cilat janë vijat e kuqe dhe deri ku mund të shkoj Maqedonia në ato negociata. Pasi ta arrij këtë si qëndrim shtetëror, jo si qëndrim të tij apo qëndrim të partisë, i shkruar në program partiak, kur të ketë pas vete konsensusin e fortë shtetëror mundet të shkojë të mbyllet edhe me grekë edhe me amerikanë që ta zgjidhë problemin. Në këtë moment Gruevski nuk ka konsensus shtetëror për emrin, prandaj pozicioni ynë në ato negociata është i dobët", u shpreh Stevo Pendarovski, analist.
"Ajo deklaratë përputhet me kërkesën e Gruevskit që të ndërrohet formati i negociatave... dhe ata e ngritën atë në nivel më të lartë. Këtu mendoj se përputhen të dy qëndrimet sepse përskaj kryeministrit Gruevski, në atë dhomë do të duhet të mbyllet edhe kryeministri Samaras, pasi problemet e këtij lloji, në rast se pozicionet janë afër, mund të zgjidhen vetëm me komunikim direkt të njerëzve të përfshirë. Mendoj se të gjitha marrëveshjet e mëdha janë arritur vetëm me komunikim direkt të personave të përqendruar në një kohë dhe në një vend", tha Sasho Klekovski, analist politik.
Klekoski shprehet se Ahmeti, vetëm me tërheqjen e mbështetjes që i ofron partnerit të tij të koalicionit qeveritar rreth çështjes së emrit, mund të ndikoj në thellimin e krizës rreth kësaj çështje. Ndryshe nga kjo, Pendarovski nuk sheh tentativë të Ahmetit për të përkeqësuar situatën, përkundrazi vlerëson se Ahmeti ka dhënë kontributin e tij personal dhe të partisë, në zgjidhjen e kontestit. Ndërkohë, janë shtuar zërat se mos zgjidhja e çështjes së emrit jo vetëm që rrezikon ardhmërinë euro-atlantike, por thellon krizën politike dhe e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Bedri Rexhallari