Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për zgjerimin e rrugës "Faik Konica" aktualisht një rrugë dytësore, që të nxjerr nga mbrapa stadiumit "Qemal Stafa" tek fakulteti Filologjik. Punimet do të zgjasin 10 muaj dhe do të kushtojnë 93 milionë lekë të reja.
Një vendim i bashkisë së Tiranës për nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës "Faik Konica" i hap rrugën prerjes së pemevë në parkun Kombëtar të Tiranës. Kjo rrugë, aktualisht është vetëm një rrugicë dytësore, e cila nis nga mbrapa stadiumit "Qemal Stafa" dhe të nxjerr te fakulteti Filologjik, me një gjerësi totale, më pak se tre metra. Por sipas projektit të bashkisë së Tiranës ajo parashikohet të bëhet një arterie kryesore për zonën, me një gjerësi rreth 7 metra, duke u bashkuar kështu me zgjerimin që po bëhet në rrugën e Elbasanit. Që do të thotë se për zgjerimin e saj bashkia e Tiranës do të futet patjetër në zonën e parkut kombëtar, ku do të marrë sërish sipërfaqe të gjelbërta dhe do të presë pemët për të realizuar projektin e saj.