Një test ADN-je ka konfirmuar se mamaja e vogëlushes Maria, është gruaja bullgare Sasha Ruseva, 35 vjeç. Lajmi vjen pikërisht nga Ministria e Brendshme bullgare.
Sasha Ruseva ishte arrestuar dhe dy herë më parë duke u munduar të shiste fëmijë në Greqi dhe në të dyja rastet arriti t'i shpëtonte policisë.
Por vetë Sasha mohon kategorikisht se e shiti Maria-n. Ajo thotë se nuk kishte para për të paguar çertifikatën e lindjes së vajzës së saj në Greqi, prandaj u detyrua të kthehej në Bullgari pa të.
Të dhënat gjyqësore tregojnë se Sasha Ruseva u arrestua fillimisht në 2009-ën, vit në të cilin Maria iu dha familjes rome në Greqi, pasi dyshohej se po mundohej të shiste një foshnje, por ajo arriti t'i shpëtonte policisë dhe të arratisej bashkë me fëmijën.
Në janar të këtij viti, ajo u arrestua sërish në Selanik, afër kufirit me Bullgarinë, për të njëjtin krim. Këtë herë fëmija u mor nën kujdesin e shërbimeve sociale dhe gruaja u akuzua për tentativë shitjeje fëmije, por u zhduk para se të paraqitej në gjykatë.