Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë bashkë me Avokatin e Popullit do të kërkojnë kushte më të mira për Kezharovskin deri sa gjendet në paraburgim, derisa vendimi nuk bëhet i plotfuqishëm. Bashkëshortja e gazetarit ishte ankuar për kushtet e rënda në të cilat kalon paraburgimin burri i saj, në baltë dhe lagështi, në pjesën më të vjetër të burgut të Shutkës. Avokati i Popullit Ixhet Memeti njoftoi se falë rekomandimeve të tij, deri diku janë përmirësuar kushtet në të cilat qëndron gazetari. Memeti paralajmëroi se personalisht të hënën do të vizitojë qelinë e Kezharovskit, për të parë nga afër kushtet në të cilat qëndron gazetari.
"Me disa rekomandime tona kemi arritur që atij ti mundësohet shërbim më i mirë mjekësor me qëllim që të jetojë në kushte më të mira, por duhet të theksohet se edhe për opinionin është e qartë, disa herë kemi treguar se si janë kushtet nëpër burgjet e Maqedonisë", tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.
"Ajo që neve na solli këtu është njoftimi i bashkëshortes së Kezharovskit se kushtet e tij në paraburgim janë jo të mira, dhe ne kërkojmë angazhimin e Avokatit të Popullit që të bëjë çdo gjë që është në fuqinë e tij që të ndikojë te autoritetet e burgut që kolegut tonë ti mundësojë kushte sa më normale në burg. Ajo që ne nuk duhet ta lejojmë është që paraburgimi të mos shndërrohet në dënim", u shpreh Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.
Ndërsa edhe sot kanë arritur reagime nga organizata botërore të gazetarëve. Komiteti për mbrojtjen e gazetarëve me seli në Nju Jork ka kërkuar nga gjyqësori në Maqedoni që të shfuqizojë dënimin dhe të lirojë gazetarin, madje duke akuzuar për ndikime politike në këtë proces gjyqësor. Nga ana tjetër Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë heshtin për iniciativën e SHGM-së për faljen e gazetarit Tomisllav Kezharovski. Iniciativën e tillë, SHGM-ja e kishte dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë muaj më parë, ndërsa dje e dorëzoi edhe në Qeveri, duke kërkuar që për faljen e gazetarit të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Benjamin Arifi