TIRANË - Borxhi është i rikuperueshëm. Kështu është shprehur deputeti i PD-së dhe ish ministri i Ekonomisë Florion Mima në një intervistë për A1Report. Ndërsa e ka parë me sy pesimizmi të ardhmen e ekonomisë.
Deputeti i Partisë Demokratike dhe ish ministri i Ekonomisë Florion Mima ka qenë i ftuar në televizonin A1Report në emisonin "5 Pyetje" nga gazetari Ilir Babaramo. Mima ka folur mbi situatën e ekonomike post zgjedhore dhe atë para zgjedhore.
Mima ka komentuar edhe vendimet e marra nga qeveria Rama si dhe votimin e aktit normativ. Ndërsa ndihet shumë pesimist për të ardhmen që do të ketë ekonomia shqiptare. Sipas Mimës, Rama i ka prerë në besë demokratët të cilët arritën që të prishinin konsensusin e arritur më 31 maj në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti i PD nuk e quan bojkot, qëndrimin e opozitës jashtë Parlamentit. Ndërsa rithekson edhe njëherë se tashmë PD me aleatët do t'i rikthehen jetës parlamentare.
"Këta thonë se borxhi është 560 milionë dollarë, e vetëm në këto kushte borxhi do kërcejë në 73%, gjë për të cilën ne kemi dyshime se kjo shifër është tullumbace. Deri në gusht, kur qeveria e demokratëve mund të ndihet përgjegjëse, deri në 31 gusht fiks shifra e borxhit ishte 64,5%", tha ish-ministri Mima.
"Këtu nuk llogarisni detyrimet e papaguara?", e pyet gazetari Ilir Babaramo ish-ministrin. "Nëse për një punë ka pasur x para kosto dhe puna është bërë e për mungesë likuiditeti nuk është paguar, në momentin kur të ardhurat e buxhetit mblidhen këto paguhen dhe efekti është neutral", shpjegoi Mima.
Mima i ka shtuar kësaj faktin se "fatura e borxhit në thesar është 115 milionë dollarë; kjo shifër pasi ka punë të bëra, por me situacione të paparaqitura. Sepse kur merr situacionin paguan detyrimet për TVSH-në dhe ka pasur sipërmarrës që nuk kanë pasur. Faturat janë paraqitur, por të palikuditura. Kjo pjesë duhet saktësuar. Por efekti i tyre në borxhin e vitit 2013 është zero, është neutral, se janë audituar".
"Ekonomia prodhon hyrje publike 13-14 miliardë dollarë, borxhi është gati 5% e GDP-së. Është lehtësisht i rikuperueshëm, kur buxheti i shtetit të nisë të arkëtojë", tha Mima.
Ai ka kujtuar se në shtator 2005 qeveria demokrate e gjeti Shqipërinë me 250 milionë dollarë borxhe. "Por ne iu përveshëm punës, duke shtuar të ardhurat nga 10% në 20%, 30% e me radhë".