Nis reforma në sistemin arsimor në vend. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka bërë të ditur sot, se do të ndryshohen të gjithë drejtorët e Arsimit në qarqe dhe të shkollave, 9-vjeçare dhe ato të mesme.
Gjatë një konference për median, ministrja Nikolla tha se, "sot fillon fundi i militantizmit dhe korruptimit të shkollës përmes emërimesh pa kriter gjatë gjithë këtyre viteve. Jam këtu për të rikonfirmuar vullnetin e fortë të qeverisë që unë përfaqësoj dhe të institucionit që unë drejtoj, se për ne, dija dhe arsimimi i fëmijëve tanë është një vlerë kombëtare që u mbivendoset interesave politike, si çelësi i suksesit për të ardhmen tonë europiane".