'Likuidimi', 4 vjet e gjysmë burg për gazetarin Kezharovski

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Katër vjet e 6 muaj burg për gazetarin Tomisllav Kezharovski. Një artikull i tij i publikuar në vitin 2006 ka qenë i mjaftueshëm për Gjykatën, e cila sot ka shpallur fajtorë gazetarin e "Nova Makedonijas" për zbulimin e identitetit të dëshmitarit e mbrojtur në rastin "Oreshe" i cili më pas kishte rezultuar i rrejshëm. Kezharovski në fjalën e tij përfundimtare në Gjykatë tha se në periudhën kur ai ka shkruar për dëshmitarin, ai nuk ka pasur statusin si "i fshehur" ose "i mbrojtur", dhe se ai vetëm ka bërë punën e tij të gazetarit.

"Nuk kam rrezikuar jetën e askujt, vetëm kam kryer detyrën time të gazetarit. Me tekstet e mia kam zbuluar se si funksionon gjyqësori dhe si funksionojnë strukturat në MPB. Asnjë tekst i shkruar në "Reporter 92" nuk është përgënjeshtruar. Dëshmitari i fshehur, nuk e di kur u bë i fshehur, kam qenë te ai në shtëpi dhe kam biseduar me familjen e tij, ku më ka shpjeguar për torturat policore të cilat i ka përjetuar dhe presionet nën të cilat ka dëshmuar në polici", ka thënë Kezharovski.

Njëri prej avokatëve mbrojtës theksoi se dënimi i rëndë për gazetarin Kezharovski vjen si hakmarrje ndaj tij për shkak të hetimin e nisur nga ana e tij për vdekjen misterioze të gazetarit, Nikolla Mlladenov.

"Arsyeja e vetme, për të cilën dyshon edhe ai se është ngritur ky skenar kundër tij, është hetimi në gazetari. Kezharovski është i bindur se e gjithë kjo është për shkak të hetimit të dëshmive rreth vdekjes së Nikolla Mlladenovit", deklaroi Andrea Rogunovski, avokat.

Gjykata dënoi edhe 7 të akuzuarit e tjerë në rastin "Likuidimi", në mesin e të cilëve edhe gjykatës dhe prokurorë. I akuzuari i parë, gjykatësi Ile Stanev u dënua me 2 vjet burg, Sabedin Xhimi Hafman u dënua me 1 vjet e gjysmë, gjykatësi Valentin Zafirov u dënua 5 vjet e gjysmë, dhe 4 vjet e gjysmë burg u dënua Ivica Efremov. Tre të akuzuarit e tjerë, gjykatësi i lartë në pension Boris Nikollovski u dënua me 1 vjet, Jane Pavlovski 1 vjet e 6 muaj dhe gjykatësi i Velesit Sashko Llazarov 1 vjet burg. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form