Në të gjithë botën sot festohet Kurban Bajrami. Besimtarët myslimanë i janë drejtuar xhamive për t'u falur dhe uruar njëri-tjetrin. Por kjo festë nuk ka filluar mirë në disa vende.
Në Irak, një shpërthim bombe jashtë një xhamie besimtarësh Sunni, ka lënë 9 persona të vdekur.
Shpërthimi ndodhi në qytetin Kirkuk të Irakut, pas lutjeve të cilat shënonin fillimin e Kurban Bajramit. Të paktën 22 persona mbetën të plagosur.
Militantët kanë venë në shënjestër besimtarët Sunni dhe Shia në një valë dhune fetare që ka përfshirë Irakun muajt e fundit. Rreth 6 mijë veta kanë mbetur të vrarë nga këto sulme gjatë këtij viti.
Guvernatori i provincës Logar në Afganistan, ka mbetur i vrarë nga një shpërthim në një xhami gjatë lutjeve të Kurban Bajramit.
Arsala Jamal po qëndronte para xhamisë duke përshëndetur njerëzit kur shpërtheu një bombë e fshehur poshtë një tavoline.
Të paktën 15 persona mbetën të plagosur dhe disa janë në gjendje të rëndë.
Për momentin asnjë nuk e ka marrë përsipër këtë sulm.
Jamal u caktua si guvernator në prill, pasi u kthye në Afganistan nga Kanadaja. Më parë ai ka qënë guvernator në provincën e Khost.