Ahmeti: Maqedonia mes izolimit dhe integrimit

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti përmbylli turin diplomatik me mesazhin se Maqedonia gjendet në mes dy rrugëve, atë të integrimit ose izolimit. Në takimin e tij të fundit me drejtorin e ri për zgjerim të Bashkimit Evropian, Kristian Denielson, Ahmeti tha se alternativë e vetme për të ardhmen e vendit është integrimi në strukturat euro-atlantike. Ahmeti edhe një herë nënvizoi rreziqet që kërcënojnë Maqedoninë nga zvarritja e çështjes së emrit.

"Maqedonia gjendet para zgjedhjes midis dy rrugëve, integrimit ose izolimit. Ne kemi zgjedhur rrugën e integrimit si alternativa e vetme për të ardhmen e përbashkët të të gjithë qytetarëve në Maqedoni. Pikërisht për këtë zgjedhje duhet që të diskutohet në shoqërinë tonë me guxim dhe largpamësi si dhe të prezantohen të gjitha argumentet, pro dhe kundër rrugës së integrimit ose izolimit".

Nga ana tjetër në drekën e punës me Ambasadorët e Bullgarisë dhe Greqisë në BE, Ahmeti kërkoi intensifikimin e dialogut mes fqinjëve dhe uljen e palëve në tryezë të përbashkët për të kapërcyer sa më shpejt çështjet e hapura mes tyre. Ndërsa, në Ambasadën Gjermane në NATO dhe në Ministrinë e Jashtme të Belgjikës, Ahmeti nënvizoi nevojën e përfshirjes së drejtpërdrejtë të institucioneve të BE-së, por edhe të vendeve anëtare të BE-së, në intensifikimin e negociatave midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe arritjes së zgjidhjes.

Ashtu sikurse ndihmësit e tij në takimin e djeshëm me kreun e BDI-së, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fog Rasmusen nga Greqia riafirmoi qëndrimin e njohur tashmë të Aleancës se Maqedonia do të pranojë ftesën e anëtarësimit kur të zgjidh çështjen e emrit.

"NATO mori një vendim të qartë në vitin 2008, në Samitin e NATO-s në Bukuresht. Ne theksuam se jemi të gatshëm të bëjmë ftesën e anëtarësimit kur të gjendet zgjidhja e përbashkët e pranueshme. Për fat të keq që nga ajo kohë ne nuk kemi parë progres, por vendimi i Samtit të Bukureshtit vlen ende, pra atëherë kur të arrihet zgjidhja do të mund të bëhet edhe ftesa", deklaroi Anders Fog Rasmusen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Këtë deklaratë Rasmusen e bëri pas takimit me zv/kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Greqisë Evangeliz Venizelos, në Athinë. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form