Përplasjet rreth pastrimit të listës zgjedhore mes VMRO-DPMNE dhe LSDM-së janë politike dhe të paargumentuara. Kështu thekson për Alsat kreu i grupit të punës për pastrimin e listës zgjedhore Bedredin Ibraimi. Sipas tij, lista zgjedhore është përpiluar konform kodit zgjedhor dhe është rezultat i punës së realizuar nga ana e grupit që ai drejton, në përbërje të të cilit janë përfaqësues të institucioneve relevante dhe të partive politike. Ndërsa sa i përket çështjes se kush është më kompetent mbi pastrimin e listës zgjedhore, Ibraimi thekson se faji për momentin është i dyanshëm, edhe i qeverisë edhe i KSHZ-së, për shkak se ky organ zgjedhor nuk është këmbëngulës në kërkesat e tij, ndërsa qeveria deri tani është treguar e shurdhër ndaj pastrimit.
"Në bazë të Kodit Zgjedhor, kompetente dhe përgjegjëse për listën e zgjedhësve është KSHZ-ja mirëpo fatkeqësisht, një punë kryesore që duhet ta bëj KSHZ-ja akoma e bën dhe ushtron Enti Statistikor i cili na bën njëfarë shërbimi. KSHZ-ja ka bërë disa kërkesa deri te ministria e financave dhe qeveria që të na mundësohen mjete financiare për ekipimin e sektorit për listën zgjedhore .... Fatkeqësisht kjo nuk është arritur deri tani. Ajo që duhet bërë dhe definitivisht që mund të kërkohet përgjegjësi e plotë nga KSHZ-ja është që enti statistikor të eliminohet nga ky proces dhe punën të cilën e bën ajo deri tani ta bart te KSHZ-ja", tha Bedredin Ibraimi, Kryetar i Grupit të Punës për Listën Zgjedhore.
Ibraimi pret që kjo çështje të zgjidhet shumë shpejt, pasi atë e ka premtuar vetë kryeministri Gruevski. Çështja sipas tij mund të zgjidhet me zhvendosjen e të punësuarve nga enti statistikor në KSHZ.
"Unë publikisht po e them se kjo duhet të bëhet dhe kjo është punë e qeverisë dhe në bazë të deklaratave të fundit që dëgjova unë nga kryeministri, se ai është i gatshëm që të mundësojë dhe të japë çdo gjë që të eliminohen dyshimet sa i përket listës së zgjedhësve. Konform këtij deklarimi të tij shpresoj se së shpejti do të ekipohet sektori në kuadër të KSHZ dhe lista e zgjedhësve përfundimisht do të përpilohet në KSHZ dhe me këtë KSHZ do ta merr përgjegjësin e plotë sa I përket kësaj çështje", tha Bedredin Ibraimi, Kryetar i Grupit të Punës për Listën Zgjedhore.
Ibrahimi vlerëson se lista zgjedhore është optimale dhe i plotëson kushtet konform dispozitave të kodit zgjedhor. Sipas tij deri tani të gjitha vendimet e marra në grupin e punës për listën zgjedhore janë marr me konsensus ndërsa vendimin për mos regjistrimin e 127 mijë qytetarëve në zgjedhjet e fundit lokale, Ibrahimi e vlerëson si vendim të guximshëm për të cilin nuk pati kurrfarë reagimi nga pala e dëmtuar. Çështja me 75 votues nga Pusteci që jetojnë në një banesë prej 70 metra katrorë është çështje që duhet të merren institucionet e tjera, edhe pse KSHZ-ja sipas tij, duhet të marrë gjithashtu qëndrim ndaj kësaj çështjeje. Gjyltene Rexhallari