Kryeministri i Serbisë Ivica Daciq do të presë nesër në një takim në Beograd përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës. Sipas kryetarit të trupit koordinues për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën Zoran Stankoviq, në qendër të takimit do të jenë kërkesat e shqiptarëve të jugut të Serbisë mbi arsimin, shëndetësinë, sigurinë si dhe përfshirjen e tyre në organet shtetërore. Sipas Stankoviqit, në takimin në Beograd ku do të marrin pjesë të gjithë liderët shqiptarë nga jugu i Serbisë nuk do të hapet çështja e regjistrimit të popullsisë. "Në takimin mes Daçiqit dhe përfaqësuesve shqiptarë nga jugu i Serbisë do të bëhet fjalë për fillimin e bisedimeve mes përfaqësuesve shqiptarë dhe qeverisë së Serbisë në të cilën do të përfshihen 13 ministritë e qeverisë që janë kompetente për zgjidhjen e çështjeve që kërkojnë shqiptarët", është shprehur Stankoviq. Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, sot nuk deshi të komentonte pritjet e tij rreth takimit me kryeministrin serb Daçiq. Ndërkaq mësohet se kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, sot do të presë delegacionin e përfaqësuesve politik të Luginës, për të koordinuar qëndrimet e tyre. Kryetari i Kuvendit të Bujanocit Jonuz Musliu i cili është pjesë e delegacionit që do të bisedojë me kryeministrin Thaçi dhe atë serb Daçiq, ka deklaruar se në takim me kryeministrin e Kosovës do të bisedohet edhe për marrëveshjet me kryeministrin e Serbisë. "Duhet të konsultohemi me Prishtinën se çfarë do të bëjmë tutje, çfarë marrin serbët e Kosovës, e çfarë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Nëse serbët nuk dalin në zgjedhje me 3 nëntor, ose nëse Daçiq shkon për ta udhëhequr fushatën në Kosovë, atëherë edhe të gjithë liderët dhe Hashim Thaçi duhet të udhëheqin fushatën kur të mbahen zgjedhjet në Luginën e Preshevës" ka thënë Musliu. Sipas tij, shqiptarët nesër në Beograd në takimin me kryeministrin Daçi do të shkojnë me platformën që është miratuar më herët si dhe të aplikohet "Marrëveshja e Konçulit", të cilën përfaqësuesit shqiptar e kanë nënshkruar në vitin 2001 me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Alsat-M