Prokuroria çon në gjykatë kërkesën për gjykim ndaj dy mjekëve irlandezë, në duart e të cilëve vdiq fëmija 11-vjeçar Denis Alimadhi, i cili po i nënshtrohej një operacioni estetik në sy. Sipas kërkesës për gjykim, firmosur nga drejtuesi i prokurorisë, Petrit Fusha, mjekët irlandezë Gerhald Fahy dhe Kevin Clarkson akuzohen për mjekim të pakujdesshëm, të kryer në bashkëpunim.
Sipas raportit të prokurorisë, fëmija D.A. gjeti vdekjen në sallën e operacionit pas disa orësh nga fillimi i operacionit. Sipas ekspertizave mjeko-ligjore duheshin marrë që më parë të gjitha masat për shmangien e një reaksioni nga narkoza, siç ndodhi në rastin konkret, ku përfshihej edhe sëmundja e hipertermisë malinje.
Në rastin e viktimës 11-vjeçare, sëmundja e hipertermisë është shfaqur në prag të përfundimit të operacionit që duhet të ketë qenë shkaktuar nga narkoza. Në këtë moment duhej përdorur sa më shpejt mjekimi specifik me Dentrolen, i cili nuk u krye për shkak të mosgjetjes së tij.