Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, gjatë takimit të sotëm me Kryetarin e kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta në Tiranë, shprehu shqetësimin për gjendjen e vështirë të shqiptarëve të Maqedonisë. Thaçi nënvizoi thellimin e varfërisë veçanërisht të popullatës shqiptare në vend si pasojë e mungesës së investimeve në zonat e banuara prej tyre si dhe dëmet që i shkaktohen vendit nga procesi i bllokuar i integrimeve euro-atlantike. Kreu i PDSH-së duke shtuar se Meta ka njohuritë e duhura rreth problemeve të shqiptarëve të Maqedonisë, tha se pret mbështetje më të madhe nga Tirana zyrtare.
"Të gjithë shqiptarët e Shqipërisë kanë dëshirë por Ilir Meta ka edhe njohuri për problemet tona të shqiptarëve që kemi andaj...E informova për vështirësitë dhe telashet që kemi ne shqiptarët e Maqedonisë në realizimin e te drejtave tona qofshin individuale apo kolektive. Një problem shumë i madh që troket në dyert e shqiptarëve të Maqedonisë është një varfëri e thellë sepse kemi një mungesë të perspektivës, mungesë të investimeve ekonomike që vijnë si pasojë e bllokimit të procesit integrues", tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Kreu i kuvendit shqiptar Ilir Meta, nga ana tjetër theksoi se shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm stabiliteti të gjithë rajonit. Meta inkurajoi shqiptarët e Maqedonisë të vazhdojnë me përpjekjet e tyre për zhvillimin dhe integrimin sa më të shpejtë të vendit në NATO dhe BE.
"Shqiptarët kudo që jetojnë kanë treguar se janë faktor i fuqishëm i stabilitetit të vendeve ku jetojnë dhe të gjithë rajonit, dhe njëkohësisht progresi i mëtejshëm i të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë padyshim që është një tregues i rëndësishëm i evropianizimit të këtij vendi mik. Ne dëshirojmë më të mirën për Maqedoninë, dëshirojmë që shqiptarët e Maqedonisë të vazhdojnë të luajnë rolin e tyre konstruktiv dhe ambicioz për forcimin e stabilitetit të vendit por edhe integrimin sa më të shpejtë në NATO dhe BE të Maqedonisë", deklaroi Ilir Meta, kryetar i kuvendit të Shqipërisë.
Thaçi dhe Meta gjithashtu shprehën nevojën për një angazhim më të madh në drejtim të përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Semra Jakupi