Urdhri i MASH: Himni kombëtar do të këndohet në shkolla çdo të hënë

Report TV 2015-08-21

Views 1

TIRANË - E hëna, dita e parë e çdo jave mësimore në shkollat e sistemit paarauniversoitar, duhet të nisë me "rreth flamurit të përbashkuar", duke tentuar kështu të rikthehet tradita e këndimit të himnit kombëtar. Sigurisht jo e kënduar si dikur "live" nga nxënësi më i mirë i shkollës dhe të tjerët që e përsëritnin në kor pas tij, por i lëshuar në sfond nga qendrat e zërit me volum të lartë.

Kështu edhe nëse nuk arrijnë të mësojnë vargjet e plota të himnit kombëtar, të paktën do t'iu mbetet diçka nga kënga patriotike. Ky është urdhri i ish-ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili është publikuar gjatë ditës së djeshme në fletoren zyrtare. Ky urdhër detyron të gjitha shkollat e vendit, jo vetëm që të këndojnë himnin kombëtar, por madje sanksionon që flamuri ynë kombëtar duhet të ngrihet në të gjitha institucionet arsimore të vendit, duke tentuar kështu që të edukojnë tek të rinjtë frymën patriotike.

Më konkretisht neni 4 i dispozitave normative të sistemit të arsimit parauniversitar, përcakton se "Himni kombëtar këndohet në institucionet arsimore në Republikën e Shqipërisë çdo të hënë, para fillimit të mësimit. Flamuri Kombëtar i Republikës së Shqipërisë vendoset në çdo institucion arsimor". Në fakt edhe Genc Pollo, ministër i Arsimit në vitin 2005, bëri të njëjtën gjë, por nisma nuk gjeti shumë mbështetje nga drejtuesit e shkolave të vendit dhe aktualisht numërohen me gishtat e dorës, shkollat që lëshojnë me qendrat e zërit, himnin kombëtar, çdo të hënë, teksa nxënësit mblidhen në oborrin e shkollës, pa u futur ende në klasa. Ndërkohë që të pakta janë edhe shkollat që në hyrje të tyre kanë të ngritur simbolin tonë kombëtar, flamurin.

Por për Jorgo Bulon, gjuhëtar i njohur por edhe anëtar i Akademisë së Shkencave, kjo sigurisht që është diçka e mirë, por, sipas tij, shkollat duhet të bëjnë përtej kësaj. "Duhet të bëhet më shumë për ekspozimin e tij. Himni i plotë kombëtar të jetë i ekspozuar në çdo ambient shkolle, që nxënësit, nuk po them që t'ia mësojnë të gjitha strofat, por së paku, ata dy të parat që këndohen vazhdimisht duhet t'i dinë. Dhe jo vetëm t'a ekspozojnë, por mësuesit t'u flasin për himnin kombëtar dhe t'ua bëjnë të dashur atë të rinjve, duke i edukuar edhe me frymën patriotike.

Pretendimi që në himn përmendet fjala Zot, ndaj nuk mund të ekspozohet pasi shkolla është laike, është një pretendim i kotë, pasi fjala Zot në këtë rast nuk cënon askënd dhe kështu e kanë thuajse shumica e himneve në të gjithë botën, të cilët ekspozohen brenda ambienteve të shkollave. Pra unë mendoj se sigurisht që kjo është një nismë e mirë, por që duhet të shkojmë përtej kësaj, të bëjmë më shumë për të ruajtur dhe transmetuar këtë himn të mrekullueshëm që kemi", - përfundon Jorgo Bulo. Teksti është shkruar nga Aleksandre Stavre Drenova (Asdreni) më 1908, por është pranuar si himn kombëtar më 1912.

Share This Video


Download

  
Report form