GJIROKASTER - Banorët e Derviçanit, fshati që është 1 km në vijë ajrore larg Lazaratit ndihen të kërcënuar dhe aspak të sigurt, nga breshëritë e plumbave që vijnë nga fshati Lazarat.
Vetëm gjatë 2 muajve të fundit janë plagosur 3 persona, 2 djem dhe një vajzë, nga plumbat që sipas policisë janë qëlluar nga Lazarati me qëlllim trembjen e policëve për të mos hyrë në fshatin e plantacionit të drogës.
Banorët thonë se kjo është një praktikë e njohur, pasi lazaratësit qëllojnë me armë shpeshherë me qëllim mbrojtjen e parcelave të mbjella me bimë narkotike.
Ngjarja e fundit u shënua mbrëmjen e djeshme, në fshatin Dervican, ku u plagosën dy të rinjtë Spiro Kolla dhe nipi i ish ministrit, Spiro Ksera, Thoma Ksera. Banorët e zonës shprehen se ndihen të kërcënuar dhe aspak të sigurt për jetën e familjeve të tyre, ndaj kërkojnë ndërhyrjen e policisë për ti dhënë fund kësaj situate.
Dy të rinjtë, 14 dhe 25 vjeç, aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa më 13 gusht të po këtij viti mbeti e plagosur 26 vjecarja me inicialet P. Duri, në lagjen Zinxhir". Vajza u plagos në krah me një plumb qorr që vinte nga Lazarati.