Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm grek Evangelos Venizelos deklaroi se Athina Zyrtare është në favor të një emri të përbërë, të pranueshëm nga të dy palët, me përcaktim gjeografik, për përdorim të përgjithshëm. Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të OKB, Ban Ki-Moon, Venizelos i cili qëndron në Nju Jork në kuadër të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, tha se Greqia do një zgjidhje përfundimtare, të qartë, funksionale".
"Në këtë mënyrë edhe vendi fqinj do të mund të gjejë perspektivën e saj evropiane, e cila është shumë e rëndësishme për ne, pasi ne duam që i gjithë Ballkani Perëndimor të gjejë perspektivën e përbashkët, gjë që paraqet faktor stabilizues në rajonin tonë. Ne do ta ofrojmë ndihmën tonë në këtë drejtim. Ne jemi investues të mëdhenj, një fqinj i madh, që kultivon ndjenjën e miqësisë dhe gjithsesi se mund të ndihmojmë për aq kohë sa ekziston vullnet i mirë, fqinjësia e mirë dhe respektim i të drejtës ndërkombëtarë", është shprehur Venizelos pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së.
Nga ana tjetër, Kombet e Bashkuara, në një njoftim për media theksojnë se "u shkëmbyen mendime" lidhur me perspektivat e zgjidhjes së çështjes së emrit, në mosmarrëveshjet për këtë çështje midis Greqisë dhe IRJM-së, si dhe për rezultatet e vizitës që kreu para disa ditësh në rajon, i dërguari i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimic.
Nga ana tjetër sot në Nju Jork qëndron edhe komisioneri evropian për zgjerim Shtefan Fyle. Ai në prag të publikimit të raportit të progresit do të takojë ndërmjetësin Nimic për të informuar drejtpërdrejtë lidhur me rrjedhën e procesit të zgjidhjes së çështjes së emrit. . Për zv/kryeministrin për çështje evropiane Fatmir Besimi, takimi Nimic-Fyle në Nju Jork madje mund të jetë vendimtar për vlerësimet që do t'i bëhen vendit në raportin e progresit lidhur me çështjen e emrit.
"Takimi i sotëm ndërmjet komisionarit Fyle dhe ndërmjetësit Nimic është jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi do të diskutohet drejtpërdrejtë për çështjen e emrit dhe progresin në këtë drejtim. Gjithashtu është e rëndësishme që të arrihet dinamizim i procesit sipas agjendës evropiane që në tetor të përfshihet diçka në raportin e tetorit për Maqedoninë si dhe që të mund komisioneri Fyle, Këshillit të BE-së në dhjetor të ketë ndonjë progres të theksuar në drejtim të procesit të emrit me qëllim që Maqedonia të mund të bëjë hapin e radhës në drejtim të fillimit të negociatave me BE-në", u shpreh Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Kryeministri Nikolla Gruevski të shtunën do të takojë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, ndërkaq akoma nuk bëhet e ditur nëse delegacionet, ai grek dhe maqedonas do të zhvillojnë takim të përbashkët. Semra Jakupi