Edhe Berisha ashtu si Nano me një zyrë në një nga Kullat në kryeqytet: Nano te Dy Kullat, Berisha te kulla Aba Center.
Pavarësisht se ish-kryeministrit Sali Berisha i është rezervuar një zyrë në selinë e re të PD në ambjentet e ish-Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë prej disa ditësh Berisha ka marrë në përdorim një zyrë tjetër, në një nga qendrat e biznesit në kryeqytet.
Zyra e re e ish-liderit të Partisë Demokratike është vetëm pak metra larg banesës së tij dhe ndodhet ekzaktësisht përballë Televizionit Publik Shqiptar.
Ndryshe nga koha kur ishte Kryeministër, tashmë Berisha e bën rrugën nga shtëpia në zyrë i pashoqëruar nga eskorta dhe truproja të shumta.
Berisha është parë në ambientet e kësaj qendre i pashoqëruar nga eskorta, madje nuk është pikasur asnjë nga shoqëruesit e tij, pavarësisht se gëzon statusin e ish-Kryeministrit dhe duhet të ruhet nga katër shoqërues.
Për të përshkruar këtë rrugë, Berisha përdor makinën që mori nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, kamera e "A1Report" ka filmuar edhe rrugën ku ndodhet shtëpia e ish-kryeministrit Berisha në të cilën kalimi ka qenë i kufizuar nga të dy skajet e rrugës.
Deri një javë më parë kjo rrugë ruhej nga punonjësit e Gardës, ku mund të kalonin vetëm këmbësorët, ndërsa tashmë këtë segment e kanë përshkuar edhe automjetet.