Fier, shpërthimet e 'Bankers Petrolium', banorët: Po çahen shtëpitë

Report TV 2015-08-21

Views 0

FIER - Shpërthimet që shkakton kompania naftënxjerrëse 'Bankers Petrolium' vazhdojnë të shkaktojnë dëme dhe ndotje masive të ajrit në disa fshatra të komunës Zharrëz në rrethin e Fierit.
Banorët e fshatit Sheqisht vazhdojnë të ngrenë problemin e tyre se shpërthimet e kompanisë sa vijnë e shtohen ditë e natë, duke shkaktuar çarje të banesave të tyre, si dhe duke ndotur ambjentin nga tymërat që çlirohen.
Banorët thonë se shqetësimi i tyre është depozituar disa herë në komunë, por askush nuk merr masa, ndërsa tregojnë se kanë frikë të ngrihen në protestë, pasi policia sipas tyre në vend që të dënojë firmën private, burgos banorët e fshatit.
Kjo situatë prej një viti e ca. Jemi ankuar, por nuk pyet njeri për ne. Kemi dalë, kemi zënë rrugën, ka ardhë policia, ka dhunuar dy tre çuna të fshatit dhe ikin.
Sa herë që ka lagështi këtu nuk mbushesh dot me frymë. Edhe për punë, në vend që të marrin banorët e fshatit marrin njerëz nga ana e anës. Ne vdesim nga ndotja dhe jemi pa punë. Komuna fshihet, sdimë gjë thonë ata.
Jemi ankuar në komunë, kreu i komunës nuk e ka vënë ujin në zjarr. S'kanë orare për shpërthimet, protesta kemi bërë, por policia dënon fshatin jo kompaninë.
Janë çarë shtëpitë janë bërë të gjitha copa. Janë ankuar të tërë, por asgjë deri tani. Janë shpërthime nga puset e naftës. Kanë filluar që vjet në këtë zonë.
Nuk po çan kokë asnjë për këtë punë. Erërat e gazit na shqetësojnë shumë, jemi të bllokuar. Po të bëjmë analizat të gjithë dalim të sëmurë.
Në fshatin tonë ka plot shtëpi që janë të dëmtuar, kjo ndodh nga firma 'Bankers'. Ata që janë ngritur kundër firmës, sot janë në burg", shprehen banorët.


Pak ditë më parë banorët u ngritën në protestë, kundër aktivitetit të kompanisë naftënxjerrëse 'Bankers Petrolium', por deri tani asgjë nuk është bërë për këta banorë. Kjo situatë vazhdon prej më shumë se një viti, ndërsa banorët kanë paralajmëruar se do të bllokojnë rrugën nacionale Fier- Berat.

Share This Video


Download

  
Report form