TIRANË - Jeta e 25-vjeçarit Euklid Arapi nga Lushnja varet vetëm nga 2 mijë euro që familja e tij nuk i ka për të prerë biletat, që do ta transferonin në Turqi, ku mund të kryhet operacioni i nevojshëm, afat ky i cili mbaron në fund të këtij viti.
"Kush ka mundësi të më ndihmojë do t'i isha mirënjohës tërë jetën, se djali rrezikon meningjitin", thotë Hyqmet Arapi, babai 53-vjeçar, i cili i drejtohet televizionit "A1 Report" për t'u bërë një apel për ndihmë qoftë qeverisë, pushtetit lokal, opinionit publik, pasi operimi i djalit të tij është urgjent dhe duhet të kryhet në Turqi.
25-vjeçari Euklid Arapi, pasi është rrëzuar nga lartësia 7 metra e një ndërtese, prej 6 muajsh iu është nënshtruar 6 ndërhyrjeve kirurgjikale, 4 prej të cilave në spitalin shtetëror "San Giovanni Battista Molinette" në Torino të Italisë. "Djali po keqësohej, po merrte infeksion në ballë. E çova në Itali, pasi rrezikonte meningjit, infeksione në tru, pasi djalit i rrjedh lëngu i trurit", shpjegon babai.
Por nga mungesa e dokumentacionit dhe e mijëra eurove të nevojshme, babai i dëshpëruar i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë shqiptare.