Zgjedhja e anëtarëve të KGJR-së, shkakton polemika mes partive

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve votoi sot dy kandidatë për anëtarë të këshillit gjyqësor republikan, Selim Ademin dhe Lidija Kamaçkoviqin. Propozimi i parë u kundërshtua nga PDSH-ja opozitare, sipas së cilës me emërimin e Selim Ademit për anëtar të këshillit gjyqësor republikan vazhdon partizimi i gjyqësorit. Fazliu madje propozoi kandidat tjetër për anëtarë të KGJR-së. Por kjo u kundërshtua nga Xhevat Ademi i BDI-së i cili numëroi afinitetet profesionale të Selim Ademit dhe kundërshtoi propozimin e Fazliut.

"Tërë kohën flasim për gjyqësi të pavarur, mirëpo fatkeqësisht politika apo kjo shumicë parlamentare nuk lejon që në Maqedoni të kemi gjyqësi të pavarur. Këshilli gjyqësor në RM, nëse duam që vërtet të kemi gjyqësi të pavarur atëherë përbërja e këtij këshilli duhet të zgjidhet me konsensus nga të gjitha partitë politike në vend. Në vij të kësaj unë kam një propozim që anëtarë për KGJR të propozohet Elvir Iseni avokat nga Tetova", deklaroi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

"Me gjithë respektin për të drejtën e propozimit, kandidati i sapo-propozuar nga zoti Bekim Fazliu ka vetëm një atribut, është djali i Beqir Isenit ish kryetarit të Këshillit gjyqësor Republikan, në kohën kur në Këshillin gjyqësor Republikan janë marrë vendimet më skandaloze. Pajtohem me zotin Fazliu se raportimet, vlerësimet dhe sugjerimet për zhvillimet në fushën e gjyqësisë nuk janë të atij niveli që ne do kishim dashur, por ama dua ta them publikisht propozimi i tij është shumë më poshtë shumë më ulët shumë më larg se sa kualitetet, se sa vlera dhe profesionalizmi që ka Selim Ademi", deklaroi Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.

Megjithatë anëtarët e Komisionit votuan për propozimin e parë gjegjësisht Selim Ademi. Ndërkohë që edhe propozimi që Lidija Kamaçkoviq të zgjidhet për anëtare e KGJR së shkaktoi polemike mes Safet Bishevacit dhe Ilija Dimovskit.

"Me këtë propozim do të vazhdoj praktika të cilën kjo shumicë parlamentare po e praktikon tanimë disa vite me radhë. Ashtu sikurse edhe me propozimin e parë me debatin e kolegëve Fazliu dhe Ademi, po marrim kritika të ashpra nga të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare për partizim të skajshëm të gjyqësorit", u shpreh Safet Bishevac, deputet.

"Dua të potencoj se zonja Kanaçkoviq është gjykatës afro 20 vjet. Për hir të së vërtetës vlen për gjykatëse parimore, për këtë shkak pavarësisht se të gjithë jemi deputet dhe kemi të drejtën e fjalës, dëshiroj të apeloj që përshtypjet subjektive dhe ndjenjat tona të mos i prezantojmë si konkluzione objektive sepse kjo s'mund të jetë ashtu", tha Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.

Propozimet për anëtarë të KGJR-së vijnë pasi gjykatësve Bujar Sabriu dhe Ilina Petrovska të cilët janë zgjedhur si anëtarë të KGJR-së më 4 tetor të vitit 2007 u ka përfunduar mandati.

Bedri Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form