Lufta mes shqiptarëve dhe maqedonasve ende nuk ka përfunduar. Kështu vlerëson kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi. Ai në një intervistë për të përditshmen kosovare 'Zëri' ka thënë se ajo luftë është në një "time-out" dhe e njëjta vazhdon, dhe është më e rrezikshme, pasi që vazhdon nën tokë, ku dy palët kanë zënë pozicionet e veta.
'Maqedonia do të shkatërrohet shumë shpejt nëse nuk i qaset seriozisht vendimmarrjes ndërmjet dy popujve, pasi që shqiptarët ende nuk janë vendimmarrës në institucionet shtetërore, mirëpo me vete e bartin vetëm simbolikën e figurantit', ka thënë Thaçi në një intervistë për 'Zërin'. Thaçi nuk ka lënë pa akuzuar edhe liderin e BDI-së Ali Ahmetin, të cilin e ka quajtur mercenar i cili, sipas tij, funksionon në emër të interesave maqedonase.
Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka potencialin që të jetë gardian i shqiptarëve në rajon dhe tregon arsyet e vërteta të prishjes së raporteve me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërkohë që flet me simpati për aktivitetet e Lëvizjes "Vetëvendosje", edhe pse pranon se nuk ka miqësi personale me Albin Kurtin. Ndaj kësaj interviste të liderit të PDSH-së Menduh Thaçi ka reaguar BDI-ja
'Shqiptarët e dinë fort mirë se Menduh Thaçi nuk është njeri i luftërave, por i tenderëve, nuk është i proceseve, por e intereson vetëm pushteti aq shumë sa që është i gatshëm ta terrorizon popullin e vet sikur në zgjedhjet e vitit 2008. Kjo intervistë e tij, i ngjanë karrierës së tij politike 20 vjeçare, në të cilën nuk ka thënë asnjë fjalë të mençur e të urtë, por llafe boshe dhe pa peshë dhe pikërisht kjo karakteristikë e tij paraqet gjurmën e vetme që ai do të lë në veprimtarinë e tij të zymtë', thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së. Alsat-M