TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka shpallur ende kandidatët fitues të zgjedhjeve për kryetar në dy komuna të vendit, Dardhas të Pogradecit dhe Rrethina të Shkodrës, por të dhënat zyrtare të dy KZAZ-ve nxjerrin fitues kandidatët e majtë: Genti Hamollarin e aleancës PS-LSI në Dardhas me 726 vota më shumë dhe Luan Harushën e PS-së në Rrethinat të Shkodrës me 3009 vota më shumë.
KQZ-ja raportoi në orën 9:15 se "në orët e para të ditës së sotme, ka përfunduar procesi i numërimit të fletëve të votimit në dy komunat Dardhas dhe Rrethinat ku u zhvilluan zgjedhjet për kryetar.
Procesi i numërimit të votave ka qenë i pandërprerë çka solli përfundimin procesit brenda një kohë të shkurtër, në mënyrë korrekte dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Sipas informacioneve të marra nga vendet e Numërimit të Votave rezulton:
në komunën Dardhas të qarkut Korçë, kandidati Gentian Mustafa Pere ka marrë 412 vota, ndërsa kandidati Genci Arefi Hamollari ka marrë 1138 vota;
në komunën Rrethina në qarkun Shkodër, kandidati Luan Halit Harusha ka marrë 4411 vota, ndërsa kandidati Ridvan Qazim Guri ka marrë 1402 vota.