Siria, parlamenti britanik rrëzon Kameronin

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Britania i thotë "JO" intervenimit në Siri. Me 285 përkundër 272 votave Dhoma e poshtme e Parlamentit në Londër refuzoi të pajtohet për veprime ushtarake ndaj regjimit të presidentit sirian Assad. Edhe pse kryeministri Kameron debatin e filloi me bindjen se nuk bëhet fjalë për sulm por për intervenim me karakter dënues, retorika e tij nuk bindi as Laburistët e as shumicën nga konservativët. Dyja palët kërkuan prova nëse armët kimike janë përdorur nga forcat e regjimit të presidentit Asad.

"Britania e Madhe nuk duhet të lëshohet në luftë pa pasur prova të sigurta nga Kombet e Bashkuara. Mendoj se nuk duhet harruar leksionet nga e harruara", tha Ed Miliband, lider i opozitës.

"Është e qartë që propozimi nuk kaloi në Parlament. Deputetët treguan vullnetin e popullit, e ajo është se britanikët nuk mbështesin aksione ushtarak të Britanisë në Siri. Unë këtë e pranoj dhe e respektoj", u shpereh Dejvid Kamerun -- kryeministër i Britanisë së Madhe.

Pas këtij epilogu, raportet nga Uashingtoni tregojnë se administrata e presidentit Barak Obama përgatitet për operacion individual. Por, edhe për këtë, siç thuhet, duhet mbështetje apo pëlqimi nga kongresmenët dhe aleatët e Amerikës.

"Edhe më tej do të angazhohemi për koalicion ndërkombëtarë i cili do të veprojë bashkë. Besoj se ka vende tjera të cilat publikisht e dënuan përdorimin e armëve kimike nga regjimi", theksoi Çak Hejgell, ministër i mbrojtjes SHBA.

Si duket një ndër kandidatët më serioz për aleancë me SHBA-të është Franca. Presidenti Oland sot deklaroi se vendimi i Parlamentit britanik nuk do ta hamendësojë vendin e tij të dënojë përdorimin e armëve kimike në Siri. Opozita siriane u shpreh e zhgënjyer me vendimin e Londrës.

"Jemi të zhgënjyer nga vendimi i Parlamentit. Edhe pse Britania e Madhe ka treguar humanitetin e saj, vendosën që mos të marrin pjesë në aksionet dhe të pengojnë presidentin Asad në përdorimin e armëve kimike kundër fëmijëve në Siri. E ndoqa debatin, por aty më shumë diskutohej për Irakun në vitin 2003 sesa për Sirinë në vitin 2013", tha Kaled Saleh, zëdhënës i opozitës siriane

Ministri i jashtëm gjerman,Vestervele hodhi poshtë mundësinë që Gjermania të përfshihet në intervenimin eventual ushtarak në Siri. Ai për mediumet gjermane tha se aksion ushtarak nga Gjermania nuk është kërkuar e as që vendi po shqyrton këtë mundësi. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus Vlladimir Putin dje u pajtuan se është e patjetërsueshme që Këshilli i sigurimit i KB së pari të analizojë raportin e inspektorëve nga terreni. Në ndërkohë, televizioni britanik BBC tregoi incizim në të cilin shihen pasojat e shpërthimit që i ngjan bombës napalm në një shkollë në pjesën veriore të Sirisë. Thuhet se dhjetë fëmijë kanë humbur jetën kurse një numër i madh kanë pësuar djegie të rënda. Dëshmitarët okularë deklarojnë se një avion ushtarak disa herë ka fluturuar mbi kokat e tyre dhe më pas e ka hedhur bombën. Petar Bllazhevski

Share This Video


Download

  
Report form