Imami, tender hermetik për shitjen e avionëve dhe helikopterëve

Report TV 2015-08-21

Views 1

TIRANE - Ankandi që u zhvillua sot në Ministrinë e Mbrojtjes, për shitjen e helikopterëve të vjetër, motorrëve të disa avioneve, disa avionë të vjetër dhe dhe dy anijeve silurmbajtëse, u zhvillua në mënyrë hermetike.

Ministria e Mbrojtjes nuk ka lejuar kamerat të futen në sallën që do të zhvillohej ankandi, megjithese ai ishte i hapur dhe nuk kishte asnjë arsye për t'u zhvilluar në mënyrë të fshehtë.

Drejtoria e Zyrës së Shtypit e ka konfirmuar mundësinë e hyrjes së mediave, ndërsa oficerët e sigurisë nuk kanë lejuar kamerat e televizionit A1 Report.

Tenderi u hap në orën 10:00 pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ku dhe u dorëzuan ofertat. Bëhet fjalë për shitjen e 138.385 kilogramëve skrap çeliku që do të shitet me 15.1 lekë/kg. Ndërsa kostoja totale e saj arrin në 2,089,614 lekë. Gjithashtu, në angandin e të hënës, do të shiten edhe 72.464 kg skrap alumin i vlerësuar me 191.4 lekë kg, me vlerë totale 13.869.610 lekë.

Por, duket se shitja për skrap e avionëve, helikopterëve dhe të mjeteve të tjera të ushtrisë është vijim i politikës së ndjekur nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes për të shitur pasuritë. Kjo përforcohet edhe nga fakti, që ankande të tilla zhvillohen në mënyrë të fshehtë dhe pa praninë e mediave.

Ndërkohë, rreth orës 14.00, nga Zyra e Shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes, ka mbërritur një njoftim, i cili tenton të përgenjeshtrojë lajmin e transmetuar nga televizioni A1 Report për mbajtjen të fshehur të ankandit. "Pretendimi i televizionit A1 Report, se nuk jane lejuar për të marrë pjesë në një ankand të zhvilluar ditën e sotme në Ministrinë e Mbrojtjes, është i pavërtetë pasi ditën e sotme nuk është zhvilluar ankandi në fjalë, për shkak të mosparaqitjes së kompanive për të marrë pjesë në ankand. E vetmja kompani e paraqitur ka deklaruar, se nuk do të dorëzojë ofertë për shkak të çmimeve të larta të përcaktuara". Kështu thuhet shprehimisht në njoftimin e Mbrojtes.

Por, kush e pengoi Ministrinë e Mbrojtjes të sqaronte, të paktën tek porta në rrugë, televizionin "A1 Report!" se ankandi nuk do të zhvillohej? Përse televizioni "A1 Report!" nuk u lejua të futej brenda e të shikonte të paktën kompaninë e vetme të paraqitur, duke refuzuar të dorëzojë ofertën, siç pretendohet me lart? E mbi të gjitha, askush nuk e mohoi apo pohoi, se nuk do të zhvillohej ankandi, por vetëm u deklarua se nuk lejohen kamerat.

Po nëse do të ishin paraqitur më shumë se një kompani për ankand, vallë a do ishte lejuar kamera e "A1 Report!"?

Ministria e Mbrojtjes nuk e dinte deri në orën 10.00, se sa kompani do të merrnin pjesë, e megjithatë, kamera e tv "A1 Report!" nuk është lejuar as në orën 09.45.

Share This Video


Download

  
Report form