Kryetari i Komunës Qendër Andrej Zhernovski dorëzoi sot në prokurorinë publike të Shkupit materialin e revizorëve për sa i përket parregullsive në projektin 'Shkupi 2014'. Edhe pse Zhernovski nuk ka ngritur asnjë padi, pret nga prokuroria publike që në bazë të detyrës zyrtarë ta bëjë një gjë të tillë. Ai përsëriti se pikërisht ky projekt është mundësi e mirë për institucionet juridike të dëshmojnë se respektojnë ligjet dhe jo ngjyrat politike.
"Revizorët e mbaruan punën e tyre, unë sot mbarova punën time me atë që dorëzova këtë dokument, dhe tani mbetet ajo më e rëndësishmja, prokuroria publike të kryej punën e saj. Në këtë dokument, siç e pa opinioni, ka elemente serioze për punë të paligjshme, që është bazë për veprim nga ana e prokurorisë. Kuptohet se në gjithë këtë punë të paligjshme nuk duhet të kërkohet faji vetëm te pushteti lokal, por edhe te pushteti qendror, më saktë ministria e kulturës", tha Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.
Megjithatë këshilltarët e VMRO DPMNE-së në Komunën Qendër apelojnë që Zhernovski vetë të ngrejë padi penale për parregullsitë për të cilat flet, dhe të mos e hedh përgjegjësinë tek prokuroria.
"Apelojmë që Andrej Zhernovski si kryetar i Komunës Qendër të mos humb kohë, por nëse me të vërtetë është i bindur për parregullsitë në ndërtimin e projektit "Shkupi 2014" në emrin e tij personal ose në emrin e Komunës Qendër të ngrejë padi për të gjitha akuzat që ka ai dhe koalicioni i tij i për këtë projekt të rëndësishëm", u shpreh Daniella Rangellova, këshilltare e VMRO-së në Qendër.
Sipas të dhënave që u shpalosën sot në seancën për pyetje këshilltarësh në Komunën Qendër, një tjetër dimension kontestues i projektit "Shkupi 2014" janë shpenzimet për udhëtime zyrtare të cilat i ka mbuluar udhëheqësia e mëparshme e Komunës Qendër. Autorja e disa përmendoreve, mes të cilave edhe atë të Aleksandrit të Madh, Valentina Stefanovska ka udhëtuar mbi 25 herë në Itali. Për bileta aeroplani për udhëtime në lidhje me projektin Shkupi 2014 janë harxhuar rreth 1 milion euro.
"Shpenzimet që Komuna Qendër i ka paguar për bileta aeroplani arrijnë në rreth 1 milion euro. Do të thotë gati 1 milion euro janë shpenzuar për bileta aeroplani deri në Itali. Këtë informacion duhet ta dijë opinion në Maqedoni. Për hotele janë shpenzuar rreth 2 milion e 310 mijë denarë. Gjithsej, për bileta aeroplani dhe hotele janë shpenzuar as më pak e as më shumë se 1 milion e gjysmë euro", deklaroi Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.
Kohë më parë edhe Enti Shtetëror për Revizion kishte kontrolluar procedurat gjatë realizimit të këtij projekti, por edhe pas dy revizioneve, nuk është filluar asnjë procedurë juridike për keqpërdorime financiare lidhur me këtë projekt. Benjamin Arifi