Komuna e Çairit hoqi dorë nga ndërtesat në hapësira të gjelbërta

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Kreu i Komunës së Çairit Izet Mexhiti ka njoftuar se janë pranuar kërkesat e qytetarëve të kësaj komune të ndërpres ndërtimet e objekteve të banimit në hapësira të gjelbra. Janë tërhequr 10 pulla ndërtimi me çka do të dëmtohet buxheti i komunës, por në të mirë të qytetarëve të saj. Një marrëveshje e këtillë u arrit me këshillin e qytetarëve që para disa muajve protestuan kundër ndërtimit të banesave në hapësira të gjelbra në këtë komunë. Ndërsa janë tërhequr 10 pulla ndërtimi vetëm dy banesa në Çair në hapësira të gjelbra do të ndërtohen pasi që sipas kryetari të Komunës së Çairit, për këto dy pulla kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore. Megjithatë sipas Mexhitit, komuna dhe investitorët do të respektojnë të gjitha 21 kërkesat e banorëve të kësaj zone, që kanë të bëjnë me izolimin, fasadat, rregullimi i gjelbërimit etj.

"Ne sot demonstruam se me të vërtetë komuna është pushteti më i afër për qytetarët. Treguam se zëri i qytetarit, interesi i qytetarit është mbi të gjitha. Sepse kjo marrëveshja nënkupton rreth 5 milion euro dëmtim të buxheteve potenciale të ardhshme të Komunës së Çairit", tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.

"Si rezultat i bisedimeve intensive të cilat i kishim gjatë periudhës së kaluar autoritetet lokale të Çairit, vendosën të ndryshojnë planin detal urbanistik i cili aktualisht është në fuqi dhe do të eliminojë 10 pulla ndërtuese, në zonën ndërmjet rrugëve Qemal Sejfulla dhe Pavle Iliç. Me këtë vendim do të mbrohen të gjitha hapësirat e rregulluara të gjelbra në këtë zonë", u shpreh Bujar Idrizi, përfaqësues i nismës së qytetarëve.

Çairi është komuna e parë që ka treguar gatishmëri të pranojë kërkesat e qytetarëve saj që të pengohet ndërtimi i objekteve në hapësira të gjelbra e kundërta e asaj që po ndodhë në komunën Qendër ku para 10 ditësh me asistencë të policisë u prenë drunjtë në parkun në afërsi të hotelit Bristol me qëllim që të ndërtohet objekti i ri i KRD-së. As protestat e qytetarëve nuk arritën të parandalojnë dëmtimin e hapësirave të gjelbra në këtë komunë e as reagimet e shumta të shoqatave të ndryshme qytetarëve dhe subjekteve politike. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form