4.5 miliardë euro llogaritet xhiroja vjetore e hashashit të prodhuar vetëm në Lazarat, ndërsa pothuajse të 12 qarqet e vendit janë të përfshira nga kultivimi i bimës fitimprurëse.
Shifra ka dalë gjatë një konference të përbashkët për shtyp të drejtorit të Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastoni dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Byrgaj. Ky i fundit ironizoi shifrat e italianëve pa dhënë një datë se kur do të ndërhyhet në Lazarat edhe pse çdo gjë është e filmuar dhe fotografuar ditën për diell.
Ndërkohë që prodhimi i brendshëm ekonomik shqiptar është rreth 10 miliardë euro në vit, 4,5 miliardë vetëm nga hashashi në Lazarat përbëjnë gati 50% të këtij prodhimi. E po të llogarisim edhe kultivimi dhe prodhimi i drogës në të gjitha qarqet i bie që një ekonomi tjetër paralele prodhon ndoshta aq sa ekonomia legale.
Lazarati mbetet ende qyteza e narkotikëve, ku në operacionin ajror për verifikimin e parcelave të mbjella me hashash me bashkëpunimin e policisë shqiptare dhe aviacionit të Guardia di Finanzia janë plot 319 ha këtë rajon, të cilët me vlerë tregu arrijnë një xhiro vjetore 4.5 miliardë euro.
I pyetur nga gazetarët, Drejtori Burgaj pranoi situatën, por në vend të shifrave që raportuan përfaqësuesit e "Guardia Di Finanza" zgjodhi të mohojë të vërtetën dhe pse çdo ditë në brigjet italiane kapen sasi të konsiderueshme droge.
E ndërsa në fund të konferencës, policisë shqiptare iu dorëzua harta e fotografuar dhe e monitoruar e parcelave me hashash, mungoi përgjigja zyrtare se kur do të ndërhyhet në Lazarat.