Zbardhet skema e masakrës që tronditi qytetin bredgetar të Vlorës, e ndodhur të dielën më 28 korrik, ku mbetën të vrarë tre pushues në plazhin e "Ujit të Ftohtë".
Leo Osmëni, i akuzuar për krimin makabër, nëpërmjet avokatit të tij ka rrëfyer në Gjykatë se si ka ndodhur ngjarja e pak ditëve më parë ku mbetën të vrarë në mënyrë krejt rastësore Sokol Isufaj nga Fieri, 34 vjeç, Serdi Bajlozi, 17 vjeç nga Prrenjasi dhe Diana Ademi nga Vlora, 52 vjeç.
Sipas avokatit të tij, 18-vjeçari ka pranuar se gjithçka ka nisur nga një sherr banal mes tij dhe 5 të rinjve nga Fieri, të cilët thotë se i kishin ngacmuar motrën.
18-vjeçari Osmëni fillimisht ka debatuar me fierakët dhe në momentet e sherrit me ta, njërit prej tyre i ka ngulur një kaçavidë në ballë.
Ai ka dëshmuar se të rinjtë fierakë kanë tentuar të reagojnë pas plagosjes së shokut të tyre, por Osmëni ka kërkuar ndihmën e një shokut të tij, që mendohet të jetë shtetasi Delin Hajdaraj, me origjinë nga Tropoja, të cilin e ka urdhëruar të merrte edhe armë me vete.
Ai ka mbërritur menjëherë i armatosur dhe me një tjetër automjet. I riu ka deklaruar gjithashtu, se në shkallët e resortit privat ka qenë shoku i tij, ai i cili ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të fierakëve, por gabimisht shënjestra e tij u ka marrë jetën tre pushuesve të pafajshëm, pasi 5 të rinjtë kanë mundur të fshihen.