Demokratët me kartë anëtarësie votojnë sot në mbarë Shqipërinë pasuesin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike. Rreth 105 mijë anëtarë të kësaj force politike janë thirrur për të zgjedhur liderin e ri për herë të parë përmes parimit "një anëtar-një votë". Votimi ka nisur në orën 8:00, të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 19:00. Anëtarët e partisë demokratike do të votojnë në 39 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin, ndërsa votat do të numërohen në kryeqytet. Të dy kandidatët, kryetari aktual i Bashkisë së kryeqytetit Lulzim Basha dhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi kishin nënvizuar më herët nevojën e një përfshirjeje të drejtpërdrejtë të anëtarësisë në vendimmarrje dhe premtojnë fitore në garën më të afërt me kundërshtarin e tyre të majtë. Gjatë votimit të tij, kandidati për kreun e PD-së, Lulzim Basha e cilësoi procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri, si dëshmi të vlerave të demokracisë dhe procesin e parë të vërtetë zgjedhor brenda një partie.
"Procesi në tërësi ka shkuar mirë. Pjesëmarrja është e lartë dhe unë dua ta nis me një falënderim të thellë për anëtarët dhe militantët e PD-së, për pjesëmarrjen gjatë gjithë këtyre ditëve dhe javëve të kaluara në këtë proces të pashoq në historinë e pluralizmit. Procesi i parë i vërtetë, jo fals, i zgjedhjes së një kryetari partie politike, në këtë rast partisë më të madhe në vend, me parimin një anëtar një votë", tha Lulzim Basha, Kandidati për kreun e PD-së.
Në votim sot ishte edhe kreu në largim i Demokratëve Sali Berisha, Ai vlerësoi jo vetëm zgjedhjet transparente të demokratëve, por gjeti kohë të akuzonte rivalit politik socialit, Edi Rama, pas debatit të lindur për manipulim votash nga socialistët në Lezhë, për deformim të vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet e 23 qershorit.
"Kjo është një ditë historike për PD, pasi për herë të parë në historinë e saj, por edhe në historinë e vendit, zgjedhë bazuar në parimin më demokratik, një anëtar-një votë, kryetarin e saj të ri. Jam këtu gjithashtu, për t'i thënë Zotit Edi Rama, në mënyrën më të prerë dhe më të hapur, mos bëj gabimin fatal për të bllokuar numërimin e votave", deklaroi Sali Berisha, Kryetar në largim i PD-së.
Berisha theksoi se do të mbetet fuqishëm i angazhuar në PD. Ai rtha se mezi pret që kjo fitore demokratësh, për kreun e ri, të jetë një fillim i ri që do ta shndërrojë garën më të parë të PD-së në nj fitore të thellë ndaj socialistëve. Alsat-M