SHKODER- Ndërsa vazhdimisht është folur për Shirokën dhe Zogajn në liqenin e Shkodrës, lumenjtë, Buna e Drini e në veçanti, bregdetin e Velipojës, këtë radhë do të ndalemi tek një miniplazh i cili së fundmi po tërheq së tepërmi vëmendjen e komunitetit të shkodran.
Bëhet fjalë për lumin Kir, burimet e të cilit vijnë nga lartësitë e alpeve veriore dhe përshkojnë qytetin e Shkodrës.
Ky miniplazh, që sa vjen e po popullohet më shumë nga dita në ditë, ndodhet vetëm pak kilometra nga qendra e qytetit të Shkodrës, jo shumë larg nga Ura e Mesit e Komunës Postribë, në drejtim të Prekalit. Për nga pamja, mjedisi që të ofron ky miniplazh është tepër joshës, i rrethuar përgjithësisht me shkëmbinj, të cilët historikisht kanë shoqëruar rrjedhën e lumit Kir në itenerarin e gjatë të tij, nga lartësitë e maleve, drejt derdhjes në det, me ajër të pastër e qetësi që për pushuesit, mbetet shumë i preferuar. Pushuesit shprehen të kënaqur për këtë mjedis, pasi kanë lënë përkohësisht vapën përvëluese në rrugët e qytetit verior.
Nga ana tjetër banorët e kesaj zone shprehen të kënaqur për frekuentimin e Prekalit pasi zona ka filluar të zhvillohet.
Zona në fjalë nuk ka qenë e panjohur për shkodranët, por infrastruktura e rënduar rrugore që realisht ka qenë prezent deri në vitet e fundit në këtë aks rrugor, nuk i ka dhënë asaj mundësinë për të qenë një plazh i frekuentuar .