Letra e Samarasit, për Presidentin Gjorge Ivanov dëshmon se vendi nuk ka bashkëbisedues në çështjen e emrit. Ivanov madje tha se nuk mund të pritet zgjidhje pikërisht nga njeriu që ka nxitur problemin e emrit para dy dekadash. Ivanov shprehu keqardhjen që Maqedonisë nuk i mundësohet të zhvillojë paralelisht bisedimet për anëtarësim në BE, së bashku me ato për gjetjen e zgjidhjes së emrit, megjithëse për këtë, siç deklaroi ai, fajtore është Greqia.
"Në fakt ne nuk kemi bashkëbisedues me të cilin do të mund të arrinim zgjidhje. E shihni, ata iu shmangen bisedimeve. Të gjitha problemet që kemi në rajon gjithmonë zgjidhen përmes dialogut, bisedimeve, prandaj treguam si shembull edhe problemin e hapur që kishin Kroacia dhe Sllovenia. Sllovenia si vend anëtar i BE-së, ishte i detyruar të sillej në mënyrë evropiane ndaj shtetit kandidat, megjithatë vendimi për zhvillimin në mënyrë paralele të bisedimeve me BE-në dhe mes dy vendeve për çështjet e tyre të hapura u mor nga Kroacia dhe Sllovenia. Palët u ulën në Lubjanë dhe Zagreb dhe arritën zgjidhje, ne e shihni për çdo nismë pranojmë përgjigje negative. Në fakt, çfarë mund të presim nga njeriu që shkaktoi problemin, tani thjesht duhet të tërhiqet nga problemi të cilin vetë ai e shkaktoi para 2 dekadash", tha Gjorge Ivanov, President.
Nga ana tjetër Presidenti Ivanov iu shmang përgjigjes direkte nëse do të pranojë kërkesën e LSDM-së opozitare për një takim liderësh mes të gjitha subjekteve relevante në vend. Ai tha se kreu shtetëror është në koordinim dhe një takim të tillë do ta organizonte nëse e shikon të nevojshme.
"Kreu shtetëror është i koordinuar, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe ndërmarrim aktivitete të caktuara. Rreth aktiviteteve të ardhshme që do të caktojmë, do të njohim publikun në kohë. Nëse krerët politikë konstatojnë nevojën edhe për një takim të tillë, atëherë me siguri se do të ketë", u shpreh Gjorge Ivanov, President.
Nga ana tjetër, kryeministri Gruevski ende hesht rreth përgjigjes që mori nga kolegu i tij grek. Samaras refuzoi propozimin e Gruevskit për takim si dhe nismën e tij për ngritjen e nivelit të bisedimeve, me grupe pune të drejtuara nga vetë kryeministrat. Në letrën e Samarasit, shkruhej se takimet e tilla nuk janë të nevojshme pasi nuk është Greqia ajo që po bllokon euro integrimin e Maqedonisë, por ai është Bashkimi Europian. Semra Jakupi