TIRANE- Tre zyrtarë të komunës së Bërzhitës janë dërguar në gjyq për akuzën e "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Të akuzuarit janë R. Abdija, kryetar i tenderit, Y. Llupa dhe B. Zeqiri anëtarë të tenderit me objekt "Rikonstruksion i rrugës së fshatit Dobresh" me fond limit 10.929.083 Lekë pa TVSH.
Keta shtetas si anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO-së) në tenderin në fjalë kanë skualifikuar një shoqëri "H....." Sh.p.k, (prokuroria jep vetëm inicialin e emrit të firmës) me argumentin se kjo shoqëri nuk plotësonte kriteret kualifikuese, pasi nuk kishte paraqitur listë-pagesat dhe nuk dispononte mjetin fadrom.
Sipas akuzës ata kanë përjashtuar nga tenderi shoqërinë "H....." Sh.p.k e cila ka paraqitur ofertën ekonomike më të ulët dhe konkretisht në vlerën 9.292.710 Lekë pa TVSH. Ndërkohë që shoqëria "M....." Sh.p.k e klasifikuar në vend të parë ka paraqitur ofertën në vlerën totale 9.480.398 Lekë pa TVSH, duke sjellë një dëm ekonomik që rrjedh nga diferenca e dy ofertave të dy shoqërive në fjalë.
Hetimet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë nisën më 22 shkurt 2013 mbi bazën e materialit kallëzues të ardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Menjëherë Prokuroria regjistroi procedimin penal për kryerjen e veprave penale të "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", parashikuar nga nenet 248 e 258 të K.Penal. Hetimi ndaj tyre u mbyll më 5 korrik dhe dosja tashmë ka shkuar për gjykim në gjykatën e Tiranës.