Greqi - Punonjësit e policisë bashkiake bllokuan trafikun në kryeqytetin e Athinës duke u spostuar më pas para ndërtesës së një hoteli ku mbahej një takim i Shoqatës së Bashkive për të diskutuar valën e pushimeve nga puna të njoftuara nga qeveria.
Trojka këtë javë miratoi një kredi prej 6.8 miliardë dollarë Greqisë me kusht që ajo të vazhdojë përpara me reformat në sektorin publik të cilat kanë sjellur pakënaqësira tek populli grek. Sipas marrëveshjes mes kreditorëve ndërkombëtare dhe ministrit të Reformës Administrative Qiriakos Micotaqis , deri në fund të vitit 2014 , pritet të pushohen nga vendet e tyre 12.500 nënpunës civilë përfshirë 3.500 punonjës të policisë bashkiake.
Ndërkohë oficerët e policies bashkiake janë zotuar se do protestojnë çdo ditë në kryeqytet dhe qytete të tjera. Për pesë ditë me radhë, policia ka sjellë mjetet e tyre policore dhe motoçikletat në rrugët e Athinës, duke shkaktuar kaos në trafik.
Një grevë e përgjithshme është planifikuar nga sindikatat kryesore të vendit javën e ardhshme.
Në vendin Helen shkalla e papunësisë u rrit më tej në 26.9 për qind, sipas të dhënave të fundit të Shërbimit Kombëtar të Statistikave.