Acarimi i raporteve mes partnerëve të koalicionit VMRO DPMNE dhe BDI nuk do të ndikojë në nivelin lokal dhe bashkëpunimin vendor-qendror do të vazhdojë. Kështu u shpreh sot kryetari i komunës së Çairit, njëkohësisht nënkryetar i BDI-së Izet Mexhit. Ai tha se zgjidhja e problemeve të qytetarëve nuk ndikohet nga përplasjet politike dhe pavarësisht acarimit ose jo të marrëdhënieve mes partnerëve të koalicionit.
"Në pushtetin lokal ballafaqohemi me probleme të përditshme të qytetarëve, me probleme pragmatike të cilat nuk na japin hapësirë dhe kohë që të mund të mendohemi se kur do ti zgjidhim ato, prandaj deshëm apo jo ne të pushtetit lokal jemi të detyruar të bashkëpunojmë me njëri tjetrin, kështu ka qenë dhe kemi pasur bashkëpunim edhe në të kaluarën d.m.th kur kemi pasur provenienca të ndryshme", tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.
Këto komente kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti i bëri sot pas takimit të tij me kreun e qytetit të Shkupit Koce Trajanovski dhe drejtorët e institucioneve publike nën kompetencë të qytetit të Shkupit. Gjatë këtij takimi u shpalos edhe projekti për zgjerimin e 3 bulevardeve kryesore të Çairit të cilat do të lehtësojnë komunikacionin.
"Gjatë periudhës së ardhshme, projektet madhore që kemi planifikuar me kryetarin e Çairit janë zgjerimi i bulevardit Hristijan Todorovski Karposh, prej marketit Vero drejt godinës së komunës, projekti është përfunduar, janë realizuar të gjitha përgatitjet, tani pritet vetëm edhe zgjidhja e disa çështjeve pronëso-juridike. Gjithashtu zgjerimi i bulevardit Nikolla Karev, prej rrugës së plastikave deri tek ambasada amerikane dhe gjithsesi përkushtim i yni mbetet zgjerimi dhe rikonstruimi i bulevardit Cvetan Dimov", deklaroi Koce Trajanovski, kryetar i qytetit të Shkupit.
"Zgjerimi i rrugës Hristijan Todorovski Karposh që është projekt që përfshinë Çairin dhe Butelin dhe është fillim i zgjerimit të rrugës Cvetan Dimov, flas me emra të vjetër për shkak se të jetë më i lehtë orientimi, që është arteria kryesore e Çairit, po ashtu u përmend edhe zgjerimi i rrugës së plastikave, d.m.th këto janë projektet kryesore", tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.
Të gjitha projektet e përmendura varen së pari nga zgjidhja e çështjeve pronësore-juridike të rrugës "Cvetan Dimov" e cila do të shndërrohet në bulevard. Me zgjidhjen e kësaj çështje, automatikisht nisin edhe zgjerimet pranë marketit "Vero", dhe ajo e Plastikave. Valmir Kuçi