TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste mblodhi sot Asamblenë Kombëtare për të falënderuar të gjithë për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, duke nënvizuar disa herë se me këtë mandat populli ka vënë të majtën para një sfide të jashtëzakonshme: "Ose të bëjmë histori ose pas 4 vitesh të ndëshkohemi në mënyrë historike" .
Në një fjalim që zgjati gati 60 minuta, si kryeministër i Shqipërisë Rama e quajti një sfidë të jashtëzakonshme qeverisjen "për një realitet ku kudo që të hedhësh sytë duhet ndryshim" dhe ku "jemi thirrur për të ndërtuar shtetin modern pa përsëritur gabimet e bëra në 8 vite nga PD por dhe as gabimet e bëra nga PS, në 2005 që e kthyen në opozitë."
Rama foli për prioritete urgjente dhe të një rëndësie parësore të qeverisjes me të marrë pushtetin në shtator, ku ai si kryeministër i vendit do të angazhohet personalisht.
"Na duhet një kryeministër për punë e jo përfundim punimesh. Unë do përmbush me përpikmëri detyrën kushtetuese për të drejtuar qeverinë por i konsideroj çështje të një rëndësie parësore kombëtare dhe prioritete urgjente cështjen e ujit, legalizimeve, mbrojtjes së tokës dhe klimës së biznesit dhe për këto çështje do angazhohem personalisht"
Rama vuri theksin dhe tek një auditim ndërkombëtar të financave për të bërë një pasqyrë të Shqipërisë reale me atë të imagjinares.
"Na duhet të auditojmë sistemin shtetëror shqiptar për të pasur një pasqyrë të Shqipërisë reale dhe për të mos vazhduar betejën politike me dy pasqyre, një pasqyrë e Shqipërisë reale sipas nesh dhe asaj imagjinare sipas opozitës, një auditim ndërkombëtar i financave dhe të dhënave të ekonomisë shqiptare brenda këtij viti. Është një proces i domodoshëm për të hedhur bazat e një qeverisjeje përmes së vërtetës dhe për t'u ndarë nga e gënjeshtra. Është një proces që është kthyer në model suksesi në Sllovaki. Ne duhet ta bëjmë me cdo kusht"
Ai i tërhoqi vëmendjen kryeministrit në detyrë të kalojë në fazë kudjestarie, dhe u bëri thirrje subjekteve që përfshihen në bashkëpunim me këtë qeveri të mos e vazhdojnë bashkëpunimin, pasi "do jemi jashtëzakonisht të rreptë me çdo produkt që lidhet pas zgjedhjeve të 23 qershorit. "