Mediat, forma të ndryshme presioni nga pushteti

alsatmtv 2015-08-21

Views 4

Kritikat e komisarit evropian për zgjerim Shtefan Fyle për ngulfatjen e lirisë së mediave në vendet aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian janë të arsyeshme, sidomos në rastin e Maqedonisë. Kështu mendojnë gazetarët dhe botuesit, të cilët janë të pajtimit se mediat në Maqedoni janë nën represion të vazhdueshëm të politikës. Botuesi Arben Ratkoceri dhe gazetari Ljubisha Nikollovski shprehen se si formë më eklatante e kontrollit të mediave në Maqedoni është represioni financiar.

"Shqetësuese është se pas 20 vite demokraci në Maqedoni, në vend se liria e mediave të shkon gradualisht duke u zgjeruar, në Maqedoni duket se ndodh procesi retrograd. Elementi i dytë që do ta kisha veçuar është fakti se Maqedonia është më specifike se shtetet e tjera në rajon, për shkak se këtu kemi dy komunitete të mëdha, dhe problemet në media janë të ndryshme. Mediat shqiptare ballafaqohen me probleme të dyfishta. Ju mungon liria në nivel shtetëror, problem i njëjtë si edhe i mediave maqedonase, por edhe diskriminimin e madh nga ana e shtetit", tha Arben Ratkoceri, botues i gazetës 'Koha'.

"Pajtohem se liria e mediave është pasqyrë e demokracisë në një shtet. Por mendoj se mediat në Maqedoni nuk arritën të bëhen të lira dhe të pavarura, për shkak se mendoj se nuk ka pavarësi politike nëse nuk ka liri ekonomike. Në Maqedoni nuk sundon ekonomia e tregut në media. Nëse kryeministri i një shteti thërret të mos shikohet ai television ose të mos lexohet ajo gazetë, ajo është porosi direkte për të gjitha kompani private të mos reklamohen në atë medium. Ai është kërcënim", deklaroi Ljubisha Nikollovski, gazetar.

Ndërkaq kryeredaktori i gazetës 'Lajm' Isen Saliu thekson se presioni dhe cenzura ndaj mediave në Maqedoni nuk janë të diskutueshme, por debati duhet të përqëndrohet në kthimin e lirisë së mediave dhe përmirësimin e kësaj situate.

"Nuk ka vend për shumë debat se ka apo nuk ka liri të mediave në Maqedoni. Këtë më së miri e tregojnë rankimet që bëjnë organizatat ndërkombëtare për media, Maqedonia ka shënuar rënie për 60-70 vende, duke u rradhitur në rangun e shteteve që nuk kanë liri të mediave. Debati tani nuk duhet të jetë se a ka liri të mediave, sepse përfundimisht nuk ka, por si të kthehet kjo liri e rrëmbyer viteve të fundit. Deklarata e z. Fyle është për të përshëndetur, pas një kohe relativisht të gjatë tregon se bashkësia ndërkombëtare nuk është aq e painteresuar për lirinë e mediave, siç mendon dikush", u shpreh Isen Saliu, kryeredaktor i gazetës 'Lajm'.

Kritikat ndaj Maqedonisë për gjendjen në fushën e lirisë së mediave për çdo vit po ashpërsohen në çdo raport të institucioneve ndërkombëtare. Komisioni Evropian, Departamenti i Shtetit Amerikan, si dhe shoqata të ndryshme ndërkombëtare të gazetarëve edhe këtë vit kanë rradhitur Maqedoninë në mesin e shteteve me mungesë të lirisë së mediave. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form
RELATED VIDEOS