27 shtete do të marrin pjesë në festivalin e filmit Watch Out, që për herë të dytë mbahet në Tetovë në organizim të Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik 'LOJA'. Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit pjesëmarrësja e shtëpive kinematografike është për dy herë më e lartë duke i dhënë kështu peshë këtij festivali i cili fillon nesër mbrëma dhe do të zgjasë katër ditë. Organizatorët thonë se ky manifestim përveç mbështetjen deklarative nuk ka marrë asnjë mbështetje financiare nga ana e institucioneve.
"Festivali sivjet ka një interesim të jashtëzakonshëm, kemi pjesëmarrës nga pesë kontinente nga 27 shtete dhe 60 filma gjë që vitin e kaluar ishte më pak se gjysma e kësaj shifre. Ne punën tonë e bëjmë me kënaqësi por që kultura të organizohet në qytet do një përkrahje institucionale si qendrore po ashtu edhe lokale e cila për fat të keq për momentin është në nivel vetëm deklarativ dhe nuk ka asgjë në teren që ne mundë ta shohim", tha Bujar Luma, drejtor i QBB 'LOJA'.
Filmat do të shfaqen në hapësirat e muzeut të ish partisë komuniste në qiell të hapur, ndërsa në fund do të marrin pjesë edhe fituesit e çmimeve.
"Në kategorinë e filmit më të mirë dokumentar është shpallur Ferhaz Sherifi nga Irani, me 'Revolutionary Memories', në kategorinë e filmave të animuar eksperimental fitoi Lea Vidakovich, nga Belgjika me filmin 'Sisters', dhe Mark Olivier Como në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtët filmi 'Plloy' nga Kanadaja", deklaroi Aleksandar Stojanovski, drejtor organizativ.
Ndryshe, në këtë festival të filmit nuk asnjë përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova kështu që nuk do të ketë asnjë film shqiptar qoftë të animuar, të metrazhit të shkurtër apo dokumentar. Bashkim Sulejmani