Xhaferri: Mirëpresim kritikat për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Shkaqet kryesore për ngecjet në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit duhet kërkuar në interpretimin e ndryshëm që i bëhet këtij dokumenti nga faktori shqiptar dhe ai maqedonas. Kështu kanë deklaruar disa nga pjesëmarrësit në tribunën e sotme kushtuar zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Përveç dallimeve në interpretim mes dy bashkësive etnike, analisti Ymer Ismaili thotë se faj për këtë mbajnë edhe vetë shqiptarët të cilët interpretojnë Marrëveshjen e Ohrit, varësisht se kush sa ka siguruar zbatimin e saj.

"Edhe shqiptarët mes vete kanë interpretim të ndryshëm të kësaj marrëveshjeje. Varësisht kush si fillon e zbaton atë në nivel juridik, ashtu edhe e lexon atë marrëveshje. Jo gjithmonë faji mbetet tek maqedonasit, ka edhe tek interpretimi shqiptar për atë se çfarë paraqet, dhe si do të duhej që nga një kontratë politike Marrëveshja e Ohrit të shndërrohet në kontratë juridike", tha Ymer Ismaili, analist.

Akademiku Abdylmenaf Bexheti tha se është koha që shqiptarët të mendojnë për ndarjen e buxhetit dhe modelin e financimit të shtetit. Buxheti mbushet nga tatimet indirekte me mbi 70% që sipas Bexhetit mund të jetë model financimi i motivuar politikisht.

"Ka ardhur koha që të rishikojmë edhe modelin e financimit, i cili në njëfarë mënyre është model që nuk bazohet në gjenerimin e të ardhurave publike. Shpeshherë nga maqedonasit, shqiptarët akuzohen se janë abuzues dhe nuk janë taksapagues të mirë. Të gjitha matjet tregojnë të kundërtën. Ju rikujtoj në një studim që ne kemi bërë me rastin e 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit që nuk pati asnjë oponencë shkencore nga dikush tjetër, pra u dëshmua se në fakt nuk është ashtu", deklaroi Abdylmenaf Bexheti, akademik.

Zv/kryeministri Musa Xhaferi deklaroi se kritikat dhe vërejtjet rreth implementimit të deritanishëm të Marrëveshjes së Ohrit janë të mirëseardhura për krijimin e politikës së veprimit në dekadën e dytë të zbatimit të saj.

"Këto debate janë në funksion të dëgjimit të të gjitha kritikave të analistëve, institucioneve, për të ndërtuar politikat e ardhshme të dekadës së dytë të Marrëveshjes së Ohrit. Ne dëshirojmë që në mënyrë transparente të bëjmë këto debate, të shohim të gjitha vërejtjet dhe të jemi përgjegjës para fjalës publike, që në një konferencë me karakter ndërkombëtar nga mesi i gushtit deri në fillim të shtatorit këtë vit, do të bëjmë përmbledhjen e të gjithë atyre prioriteteve apo vërejtjeve që vijnë nga analistët", u shpreh Musa Xhaferri, zv/kryeministër.

Konferenca e sotme është pjesë e një cikli debatesh të organizuara nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, që kanë të bëjnë me analizimin e zbatimit të deritanishëm të kësaj marrëveshjeje. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form