OJQ-të kundër pr/ligjit qeveritar për abortin

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Tërheqje të propozim-ligjit për ndërprerjen e shtatzënisë kërkuan pjesa më e madhe e pjesëmarrësve të debatit publik në Komisionin parlamentar për shëndetësi. Përfaqësuesit e OJQ-ve shprehen se nevojitet ligj i ri, pasi me këtë kufizohet e drejta e zgjedhjes së gruas dhe nxitet kryerja e aborteve jolegale në kushte joadekuate.

"Njëri prej qëllimeve të këtij ligji është që të mos ndodhin aborte në ordinanca dhe klinika të ndryshme, të cilat nuk sigurojnë kushte. Unë nuk pajtohem me këtë, por vendimin e keni të keq", tha Irena Cvetkoviq, koalicion i bashkësive të margjinalizuara.

Vërejte ka edhe Shoqata e gjinekologëve në Maqedoni, e cila reagon se nuk është konsultuar fare për këtë ligj.

"Ne në kartonin shëndetësor të pacientëve nuk e shënojmë Hivin, nuk guxojmë të shënojmë se është hiv-pozitive ose me tuberkulozë, ndërsa do të shkruajmë abortin në kartonin e saj shëndetësor", u shpreh Sllavejko Sapunov, kryetar i Shoqatës së gjinekologëve të Maqedonisë.

Ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov shprehet se për ligjin janë krijuar fama dhe histeri të çuditshme, ndërsa ai nuk ia ka shkurtuar të drejtën gruas vet të vendosë, por ka siguruar abort të sigurt.

"Nuk është ideja që të ndalohet ndërprerja e shtatzënisë në kushte private dhe kjo nuk qëndron në Ligjin, por mund të bëhet vetëm në institucione spitalore, pa dallim nëse ato janë publike ose private. Mirëpo, duhet pasur kushte komplete që ajo të zbatohet", tha Nikolla Todorov, ministër i Shëndetësisë.

Në debat ishin të pranishëm edhe përfaqësues të OJQ-ve që janë deklaruar kundër abortit dhe për të drejtën e jetës së fëmijës.

"Të gjithë harruam se të gjitha të drejtat rezultojnë nga e drejta e jetës, gruaja i ka të drejtat e garantuara, të drejtën e zgjedhjes së partnerit, të drejtën e zgjedhjes për të marrë pjesë në marrëdhënie seksuale me atë partner dhe të drejtën nëse dëshiron të mbetet shtatzënë me atë partner, por nëse mbetet shtatzënë, pushojnë ato të drejta dhe fillon e drejta e jetës", u shpreh Bllagica Popovska, organizata Revita.

Përfaqësuesit e organizatës Botërore Shëndetësore kërkuan që ligji i cili do të miratohet para së gjithash të mundësojë abort të sigurt. Bojana Simonoviq

Share This Video


Download

  
Report form