Zoran Zaev edhe zyrtarisht morri timonin e LSDM-së, partisë më të madhe opozitare në Vend. Ai përmes një komunikate me shkrim deklaroi se mbrëmë LSDM-ja demonstroi nivel të lartë të pjekurisë politike dhe se përfundimi me sukses i Kongresit hodhi poshtë të gjitha spekulimet e oponentëve politik se LSDM-ja do të përçahet. Përkundrazi sipas Zaevit, LSDM-ja, nga Kongresi doli më e unifikuar se kurrë më parë.
"Nga ky kongres LSDM-ja doli me dinjitet dhe krenari. E unifikuar, e fuqishme dhe triumfuese. Ky moment i festimit tonë, të cilin të gjithë e merituam, paraqet fillimin e sukseseve të reja që do të vijnë. Jam i vetëdijshëm se prej sot na pret shumë punë. Një luftë e ashpër me regjimin e VMRO-DPMNE-së. Unë premtova kthimin e mentalitetit fitimtarë të partisë sime, erdhi koha që premtimin ta realizoj. Prej sot fillon mposhtja e VMRO-DPMNE-së dhe demaskimi i politikave të Gruevskit. Shumë shpejtë do tu gëzohemi sukseseve", tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Përkundër deklaratës së Zaevit, se pas kongresit LSDM-ja doli më e unifikuar, kundër-kandidati i tij Zoran Jovanovski, deklaroi se respekton vullnetin e shumicës së delegatëve dhe paralajmëroi se tani e tutje do ti përkushtohet profesionit të tij të vjetër, pa mos theksuar qartë se do ta vazhdoj apo jo me kontributin e tij në LSDM.
"Në kongres para delegatëve u ofruan koncepte dhe vizione për funksionimin e LSDM-së në periudhën e ardhshme, dhe atë koncepte dhe vizione të cilat në thelb dalloheshin. Delegatët para vetes kishin rastin ta orientojnë LSDM-në në drejtim të ri, por ata bën një zgjidhje tjetër dhe atë unë plotësisht e respektoj. Unë në jetën time asnjëherë nuk kam kalkuluar, por jam sjellë me nder dhe krenari. Kështu hyra në këtë çështje, kështu edhe po largohem. Do të vazhdoj edhe më tej të luftoj për vlerat në të cilat fort besoj, por prej tani atë do ta bëj personalisht. Prej sot kthehem me kapacitet të plot angazhimit tim profesional", u shpreh Zoran Jovanovski, LSDM.
Gjatë kongresit të mbrëmshëm LSDM-ja ka zgjedhur edhe këshillin e përgjithshëm dhe atë mbikëqyrës të partisë. Ditët në vazhdim duhet të zgjidhet edhe kryesia më e ngushtë. Ndryshe në kongresin e djeshëm i pranishëm i ishte edhe lideri i deritanishëm Branko Cërvenkovski i cili në fjalimin e tij përshëndetës refuzoi nismën për kandidimin e tij për një mandat duke thënë se kjo ishte dita e tij e fundit në kreun e partisë të cilën e drejtoi që nga viti 1991. Bedri Rexhallari