Qeveria do të mbulojë dëmet materiale të Muzeut të Alfabetit, nga akti vandal i javës së kaluar. Me vendimin e djeshëm, Qeveria ka obliguar Ministrinë e Kulturës që të paguajë vlerën materiale që do të përcaktohet nga analiza e komisionit të formuar për vlerësimin e dëmit, të kryesuar nga drejtori i muzeut Gazmend Hoxhaj.
"Qeveria e Maqedonisë, në seancën e parë të saj ka shqyrtuar edhe informatën e përgatitur nga Ministria e Kulturës lidhur me aktin vandal ku u demolua objekti i Muzeut të Gjuhës Shqipe në Manastir. Në këtë rast Qeveria ka miratuar konkluzën me të cilën Ministria e Kulturës obligohet që të mbulojë të gjitha dëmet që janë shkaktuar gjatë këtij akti. Njëkohësisht Qeveria ka obliguar institucionet përkatëse, Ministrinë e Kulturës dhe atë të financave që të shqyrtojnë mundësinë në afat sa më të shkurtër të angazhojnë punëtorë shtesë në Muzeun e Alfabetit me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurimit dhe administrimit të këtij objekti", tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Përveç vendimit qeveritar për sigurimin e mëtejshëm të objektit të muzeut të kulturës, sot edhe Shoqata e Veteranëve të Luftës e dalë nga UÇK-ja, është ofruar që të mbrojë këtë objekt, me qëllim parandalimin e ndonjë akti tjetër vandal.
"Nga dita e sotme, ish luftëtarët e UÇK-së dhe të burgosurit politik mbrojnë objektin historik të Kongresit të Alfabetit tonë në Manastir. I drejtohemi UNESCO-s për mbrojtje institucionale ndërkombëtare", thuhet në komunikatën e SHVL-UÇK.
Sipas informatave nga Ministria e Brendshme, hetimet për zbardhjen e rastit po përparojnë, dhe pritet që në ditët në vazhdim, sulmi vandal ndaj muzeut të Alfabetit të zbardhet plotësisht, dhe autorët të nxirren para drejtësisë. Benjamin Arifi