Maqedonia deri në mbledhjen e këshillit të ministrave evropian në fund të qershorit, duhet të tregojë përparim në negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit, nëse dëshiron të merr datë për fillimin e bisedimeve. Kështu ka deklaruar ambasadorja franceze në Maqedoni Lorens Oer, duke shtuar se pas propozimit të fundit të ndërmjetësit Metju Nimic, fjalën e kanë palët kontestuese, Maqedonia dhe Greqia, të cilët duhet të japin përgjigje dhe jo të hedhin topin te njëri tjetri. Oer thekson se negociatat për çështjen e emrit po zhvillohen në mënyrë të fshehtë.
"Integrimi evropian nuk është premtim i parealizueshëm. Integrimi evropian është lëvizje e cila shkon përpara me përparim në çështjet të cilat janë të identifikuara. Do të më pyesni se si mund të ndihmojmë? Këto negociata po zhvillohen fshehtë, për shkak se nëse ishin publike nuk e dijmë se çfarë vështirësi do të paraqiteshin. Ata po zhvillohen fshehtë, por është absolutisht e nevojshme që gjërat të përparojnë para qershorit", tha Lorens Oer, ambasadore e Francës.
Oer ka vlerësuar se marrëveshja Kosovë-Serbi, është shembull i cili duhet të ndiqet nga Maqedonia, dhe të gjithë shtetet e Ballkanit perëndimor, të cilët kanë çështje të hapura me fqinjët.
"Nuk e di nëse do të jetë lehtë që të realizohet, dhe kuptohet që do të ketë pengesa. Sot nuk i kam të gjitha elementet të cilat do të më mundësonin të them nëse do të ndodh moment vendimtar, dhe nëse të gjitha pengesat janë tejkaluar. Por kjo është diçla që për të gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor tregon përparim, i cili duhet ti shërbejë Maqedonisë", deklaroi Lorens Oer, ambasadore e Francës.
Oer është shprehur e shqetësuar me gjendjen e lirisë së medieve në vend, dhe ka përkujtuar autoritetet e Maqedonisë se përmes lirisë së mediave dëshmohet kapaciteti dhe pjekuria e një shoqërie, dhe se pasqyra e shtetit kalon përmes gazetarëve. Benjamin Arifi