Ky është Egzoni 18 vjeçar nga fshati Sllupçan i Komunës së Likovës. Ndonëse nuk është i zhvilluar sikurse moshatarët e tij, nuk do të thotë se nuk ka të drejtë për një jetë më të mirë dhe më të lumtur. Por, për fat të keq, atij i mungon thuajse gjithçka, për shkak të varfërisë që ka kapluar këtë familje, që nga ushqimi e deri tek shtëpia. Egzoni nuk ka shoqëri, i vetmi shok i jetës është nëna e tij Silvana Shabani e cila nuk ndalte dot lotët teksa rrëfente për jetën e saj të vështirë. Shtëpia në të cilën jeton familja Shabani nga fshati Sllupçan është e ndërtuar me plitharë balte dhe mund të rrënohet në çdo moment. Nëna Silvana bën apel për ndihmë, për materialin ndërtimor për ngritjen e dy dhomave dhe një banje të re, të paktën për t'i mundësuar dush Egzonit.
"Ma shumë kam nevojë për shtëpi, me mujt dikush me më ndihmu që ta ndërtoj një shtëpi që të mundem me la si duhet, edhe një dhomë me pas, nuk po kam teshat ku mi çu, krejt pampersat nuk po kam ku mi lanë, hyni shikoni edhe atje, nëse nuk më besoni, po e shihni edhe vet. Dimri kur po vjen po bëhet ftohtë, dera krejt është thye, nuk po kam..me qenë në veti është më ndryshe, e ka dhomën e vet, djali i dytë as nuk po mundet me mësue prej këtij, nuk mundet me mësu se nuk po e le, edhe ai po ka probleme", tha Silvana Shabani, banore e fshatit Sllupçan
Në momentin që ekipi i Alsat-M qëndroi në këtë familje, nuk arritëm të takonim kryefamiljarin Idriz Shabani i cili dilte që në mëngjes për të kërkuar punë që në mbrëmje të sillte bukë për të gjithë. Këmbët e zbathura të Egzonit dhe dhoma e zbrazët pa tapet, dëshmojnë vuajtjet me të cilat ballafaqohet kjo familje.
"Dy soba veç i kam, kushtet i kam shumë të këqija, vet po e shihni...nuk kam, krejt çka më kan dhanë të tjerët, që më kanë ndihmu diçka, burrin pa punë e kam, me 1800 denarë ndihmë sociale i kam, a ta ushqej, a ta veshi a çka me bo me ato përpara..Drejt me të kallxu çka mundem i jap, çka më qëllon i jap, tjetër nuk kam, lyp ama kur nuk i ki kushtet çka ki me bo...kërkun nuk mundem me dal prej tij, nuk guxoj me lanë vet, Egzon e ka emrin, 18 vjet i ka, me mu fle, prej meje nuk ndahet, në kontakt është gjithnjë me mu", u shpreh Silvana Shabani, banore e fshatit Sllupçan.
Teksa u larguam nga familja Shabani nga fshati Sllupçan, Egzoni 18 vjeçarë përpiqej të shprehte dashamirësinë e ardhjes së ekipit tonë. Ndoshta pa ndërgjegje, me gjestet dhe thirrjet e tij dëshironte të tregonte se diçka e mirë do të dalë nga kutia filmuese, kamera e ALSAT-it. E lamë të ulur në oborr, me shpresën e varur për një ditë më të bukur në jetën e tij.
Melihate Rustemi
Të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje, mund të kontaktojnë në numrin e telefonit:
+389 70 771 956
Shaban Idrizi, fshati Sllupçan, Komuna e Likovës