Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skëndër Gjinushi, i ftuar në emisionin "5 Pyetje nga Babaramo" mbrëmjen e së martës (14 maj 2013) tha se opozita e bashkuar merr minimumi 74 deputetë më 23 qershor dhe qeverisja do të jetë e garantuar. Gjinushi thotë se largimi i 3 deputetëve PS te PD dhe dalja e pavarur e Arben Malajt nuk i heq asnjë deputet opozitës në zgjedhje, ndërsa lëshon kritika të ashpra ndaj ambasadorit të OSBE-së në Tiranë se në mënyrë permanente bën deklarata në shkelje të ligjit. "Një ambasador ose nuk flet ose duhet të flasë në zbatim të ligjit"- thotë Gjinushi për ambasadorin Wollfarth, ndërsa shprehet i sigurtë se "Zgjedhje të lira e të ndershme me standarde me Sali Berishën nuk ka".