Analistët politik e cilësojnë si të frytshëm takimin e liderit të BDI-së Ali Ahmeti me ndërmjetësin Metju Nimic. Sipas Ismet Ramadanit, në këtë takim, Nimic ka nxjerrë në dritë arsyen e vërtetë përse çështja e emrit nuk gjen zgjidhje, dhe në këtë mënyrë është ngushtuar hapësira për spekulime të mëtejme të kryeministrit Gruevski dhe partisë së tij. Ramadani vlerëson se pas këtij takimi, presioni për zgjidhjen e emrit do të jetë më i madh ndaj ndaj partisë së kryeministrit Gruevski.
"Këtu sigurisht është mësuar e vërteta nga z.Nimic. Pas kësaj me kthimin e z.Ahmetit në njëmënyrë vetvetiu shtohet presioni ndaj pjesës tjetër të qeverisë, të kryeministrit Gruevski edhe nga opinion i brendshëm dhe faktori ndërkombëtar dhe gjithnjë e më shumë po afrohet koha se zgjidhja duhet të ndodh, përndryshe ka forma të tjera të cilat BDI por edhe opinioni më i gjerë do të ndihmojë, bashkë me atë ndërkombëtar që nga skena politike duhet të largohen ata të cilët i pengojnë integrimet euro-atlantike, e për t'i larguar ata e para është t'u merret pushteti dhe në këtë mënyrë të krijohet një udhëheqësi qoftë maqedonase apo shqiptare që Maqedonia të kap trenin e fundit për anëtarësim në NATO dhe BE", tha Ismet Ramadani, analist politik.
Sipas ish ambasadorit të Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin, edhe pse Ahmeti bëri një gjest të mirë diplomatik, ky takim nuk do të ndihmojë zgjidhjen e çështjes së emrit. Madje sipas Ruzhin, ekzistojnë 3 arsyeje që shtynë Ahmetin në një nismë të tillë.
"Fillimisht të dëshmojë se BDI dhe vetë ai nuk janë të interesuar vetëm për marrëdhëniet ndëretnike, sepse megjithatë ajo është parti politike serioze e cila duhet të angazhohet për të gjitha çështjet e hapura të shtetit, me siguri i frymëzuar nga marrëveshja Prishtinë-Beograd, të tregojë se edhe partia e tij politike ka qëndrime, mendime dhe pozicione rreth kësaj çështjeje. E dyta, të tregojë se çështja e emrit nuk është një hapësirë për gjuajte e rezervuar vetëm për DPMNE-në dhe e treta, nga njëra anë përpiqet të tregojë interes dhe në një far mënyrë t'ia tërheq butë vërejtjen partnerit të koalicionit DPMNE se ajo nuk është e vetmja që vendos në shtet, dhe se BDI është e interesuar për integrimet euro-atlantike", deklaroi Nano Ruzhin, ish ambasador i Maqedonisë në NATO.
Ndërsa Ramadani vlerëson se vendimtare për zgjidhjen e çështjes së emrit do të jetë përgjigja e Maqedonisë ndaj propozimit të fundit të Nimicit, sipas Nano Ruzhin, asgjë nuk do të ndryshojë në qershor, pasi siç u shpreh ai, kjo qeveri nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e këtij problemi. Semra Jakupi