Ofensiva e BDI-së hap i rëndësishëm për integrimin e vendit

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Në prag të Samitit të qershorit të Bashkimit Evropian, ish kryeministri Lupço Gerogievski e cilëson si hap të rëndësishëm nismën e BDI-së për të rigjallëruar agjendën evro-atlantike të vendit. Georgievski në 'Rruga Drejt' tha se në kushte të mungesës së angazhimit të kryeministrit Gruevskit për të zgjidhur çështjen e emrit apo normalizuar marrëdhëniet më fqinjët, qasja e BDI-së në këtë drejtim mund të lëviz vendin përpara.

"Për fat të keq ata që kanë përgjegjësi më të madhe për të ardhmen e Maqedonisë edhe përkrah rëndësisë së këtij qershori, sillen sikur bëhet fjalë për diçka që nuk na tangon ne...nuk e ndjekin shembullin e Kosovës dhe Serbisë, nuk mendojnë të ndryshojnë diçka dramatike në konceptin e tyre. Nëse shikojmë bllokun maqedonas dhe se si ata sillen për ngjarjet e qershorit, mund të them se bëhet fjalë për një kënetë politike ku të gjithë që flasin thonë të njëjtat gjëra, prandaj është e qartë se nuk do kemi as datë, as bisedime, as asgjë. Prandaj konsideroj se duhet të përshëndetet kjo nismë e BDI-së pasi paraqet një pasqyrë të re për Maqedoninë, një interes të ri për Maqedoninë dhe urojmë që këto nisma të sjellin suksese", u shpreh Lupço Georgievski, ish kryeministër.

Ndryshe nga Georgievski, ish kryeministri tjetër Vllado Buçkovski tha se angazhimi i BDI-së nuk do të sjell rezultate, pasi ky aktivitet i tyre më shumë ka të bëjë me aktivitete partiake dhe përpjekje për të rritur besueshmërinë e partisë. Për Buçkovskin, zgjidhja e vetme e qëndrueshme për çështjen e emrit mund të vijë vetëm nga partitë maqedonase, VMRO dhe LSDM.

"Mendoj se pa presion ndërkombëtar kjo qeveri përskaj të gjitha përpjekjeve që tani i bën BDI apo përkundër pretendimeve të Ahmetit se diçka spektakulare po bën në Amerikë , unë mendoj se Ahmeti e filloi fushatën për zgjedhjet e ardhshme..pritjet do të ishin shumë të mëdha para se gjithash për ne maqedonasit nëse presim BDI-ja t'i zgjidh problemet tona. Me qëllim që zgjidhja të jetë e qëndrueshme këto problem duhet ta zgjidhin bashkërisht VMRO DPMNE dhe LSDM, por shohim se edhe njëra pale dhe tjetra për momentin kanë prioritete të tjera", tha Vllado Buçkovski, ish kryeministër.

Georgievski dhe Buçkovski, e cilësojnë si pozitiv edhe takimin e zv/ kryeministrit Besimi me ministrin e Jashtëm grek Avramopulos. Sipas tyre, këto kontakte mund të ndërtojnë mirëbesimin dhe përgatisin qytetarët e të dyja vendeve për zgjidhjen eventuale të çështjes së emrit. Maqedonia dhe Greqia deri në fillim të qershorit do t'i shpalosin qëndrimet rreth propozimeve të fundit të ndërmjetësit Methju Nimic, ndërkaq sot në Nju Jork, lideri i BDI-së Ahmeti do të takojë ndërmjetësin për çështjen e emrit Methju Nimic. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form