Komisioni për politikë të jashtme i dha dritë jeshile marrëveshjes për bashkëpunim mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Republikës së Serbisë për bashkëpunim drejt inkuadrimit në Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje është nënshkruar në Shkup më 18 shkurt të këtij viti dhe me hyrjen në fuqi të saj pas ratifikimit nga parlamentet e Maqedonisë dhe Serbisë do të intensifikohet dialogu politik dhe do të përforcohet bashkëpunimi mes dy shteteve në kontekst të qasjes drejtë Bashkimit Evropian.
"Marrëveshja parasheh bashkëpunim në harmonizimin e dispozitave në pjesën e tregtisë së lirë, harmonizimin e sistemeve doganore, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale, lëvizjen e kapitalit. Me të gjithashtu parashihet harmonizimi në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme, posaçërisht në pjesën e azilit, migrimit, riatdhesimit, tregtisë me njerëz, regjimin e vizave, larjen e parave e kështu me radhë", tha Goran Stevçevski, këshilltar shtetëror në MPJ.
Sipas Stevçevskit kjo marrëveshje nuk kërkon ndryshim të ligjeve ekzistuese dhe për zbatimin e saj nuk janë të nevojshme mjete financiare shtesë nga buxheti i Maqedonisë. Deputeti i BDI-së Hajrulla Misini, pyeti përfaqësuesin e MPJ-së se Maqedonia ka apo jo marrëveshje të ngjashme dhe me shtetet tjera të rajonit.
"Marrëveshje të këtilla kemi edhe me Bullgarinë, në kontekst të euro-integrimeve në kuadër të kësaj sigurohet mbështetje nga Bullgaria si vend anëtar i BE-së, këmbimi i përvojave në procesin e euro-integrimeve, derisa në proces është vendosja e marrëveshjeve të këtilla edhe me vendet tjera të rajonit", deklaroi Goran Stevçevski, këshilltar shtetëror në MPJ.
Republika e Maqedonisë dhe ajo e Serbisë gjatë viti të kaluar gjithashtu kanë ratifikuar edhe marrëveshjen për bashkëpunim ndër-policorë. Ndërkohë që qeveritë e të dyja vendeve në kuadër të bashkëpunimit kanë paralajmëruar edhe mbledhje të përbashkëta qeveritare. Bedri Rexhallari